Haxhiu: Ishte e qartë që nga votimi i Qeverisë Hoti, po i hapet rruga Thaçit për shkëmbimin e territoreve

Prishtinë | 08 Qer 2020 | 21:35 | Nga Ekonomia Online

Në ditën e tretë të punës, qeveria e re në krye me Avdullah Hotin hoqi masat e reciprocitetit me Serbinë, duke i hapur rrugë kështu rifillimit të dialogut me shtetin fqinj.

E, ish-ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu këtë proces po e sheh si plan të kahershëm të ish-partnerëve qeverisës, LDK-së, e presidentit Hashim Thaçi.

Në një deklaratë për GazetaBlic, Haxhiu thekson se ky vendim i ka hapur rrugë Thaçit e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, për ta realizuar planin për ‘shkëmbimin e territoreve’.

“Arsyeja kryesore mbi të cilën qëndron Qeveria e paligjshme, është çështja e dialogut me Serbinë. Kur është votuar kjo qeveri, ka qenë e qartë që e njëjta do të ndërmarrë veprime të menjëhershme për t’i hapur rrugë Thaçit në negociatat me Serbinë. Ndër vendimet e para të qeverisë ishte heqja e reciprocitetit, ku qeveria i dha goditje të madhe Republikës së Kosovës duke cënuar rëndë sovranitetin, sepse tek e fundit reciprociteti është vlerë e barazisë, ka të bëjë pikërisht me sovranitetin e vendit, respektimin e tij. Këta kinse në emër të njohjes reciproke heqën dorë nga vetë Republika e Kosovës. Po i kërkohet Serbisë që ta njohë Republikën e Kosovës kur tashmë Qeveria Hoti i ka thënë Serbisë që referoju Kosovës si ‘Kosova-Metohija’, duke hequr dorë nga Republika e Kosovës. Në këtë drejtim, në momentin kur u zbrapsën nga reciprociteti i hapën rrugën presidentit Thaçi dhe Vuçiqit rrugëtimin që e kishin ndalur në gjysmë që kishte të bënte me shkëmbimin territorial”, tha ajo.

Krahas këtij ‘plani’, Haxhiu thotë se qytetarët nuk do të qëndrojnë duarlidhur.

‘Projekteve të rrezikshme’ siç i ka quajtur ajo, shkëmbimin e territoreve dhe Asociacionin e komunave me shumicë serbe me kompetenca ekzekutive, do tu dalin kundër.

“Brenga jonë kryesore është padyshim kjo, tendenca e presidentit Thaçi dhe Vuçiqit për të nënshkruar një marrëveshje që ka të bëjë me shkëmbimin territorial apo çështja tjetër është Asociacioni me kompetenca ekzekutive në Republikën e Kosovës, që padyshim që do jenë të dyja të dëmshme. Jemi të vetëdijshëm që përpjekja e tyre do të vazhdojë, por në anën tjetër ne jemi duke bërë përgatitjet e vazhdueshme, jemi në komunikim edhe me qytetarët që t’i dalim kundër, të angazhohemi për t’i dalë kundër këtyre projekteve të rrezikshme”, shton Haxhiu.

Se kjo qeveri është në duart e presidentit Thaçi, për anëtaren e Kryesisë së LVV-së është e pamohueshme.

Sipas saj, që nga momenti i rrëzimit të Qeverisë Kurti, krerët e LDK-së dhe presidenti kanë qenë në koordinim.

“Në momentin kur presidenti Thaçi ka nisur planin e tij për ta rrëzuar qeverinë Kurti, ka qenë në koordinim të plotë me krerët e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe arsyeja për këtë ka qenë sepse Thaçi e ka pasur të qartë që kryeministri Kurti në asnjë rrethanë nuk bën pazare me interesa të Kosovës dhe me sovranitetin, integritetin territorial apo interesat e qytetarëve”.

“Fakti që në Kuvendin e Kosovës dëgjuam diçka të padëgjuar ndonjëherë, ku një deputet thekson angazhimin e presidentit për bërjen e numrave të qeverisë Hoti, është treguesi më i qartë që kjo është qeveria e Hashim Thaçit dhe kjo është qeveri e Vuçiqit”, tha Haxhiu.

Sot, rreth dialogut është përgjigjur edhe presidenti i vendit. Para mediave ai ka thënë se nuk është në garë me askë për ta udhëhequr dialogun me Serbinë por për ta plotësuar njëri tjetrin.

“Ne përballë Serbisë gjithmonë kemi qenë të bashkuar. Sa herë që kemi qenë të unifikuar dhe të bashkëkoordinuar si institucione kemi dalë mirë. Ne nuk jemi në garë për ballë Serbisë jemi për tu koordinuar me njëri-tjetrit dhe për të pasur një platformë të qartë që lëviz procesin përpara në realizimin e objektivave tona”.

Pas, Thaçit ishte kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, ajo që reagoi.

Osmani tha se Kosova është e gatshme për dialog por jo për një të tipit Thaçi, që përfshin negociata sekrete me Vuçiqin.

Ajo madje iu drejtua Thaçit se para se të tentoj të marr kompetencat e qeverisë, të deklarohet për çështjen e ‘shkëmbimit të territoreve’.

“…. Po ashtu të sqarohet se a ka hequr dorë nga ideja e tij dhe e Vuçiqit, ideja e rrezikshme për korrigjim të kufijve sepse herën e fundit që kemi kontrolluar në ueb faqen zyrtare të presidentit akoma gjendet Opedi i tij, opinioni me emrin dhe mbiemrin e tij që thekson se ‘Presidenti e kryeministrat do të ndryshojnë po korrigjimi i kufijve do të ndodhë’. Po supozoj se meqenëse nuk e kanë zëvendësuar këtë Oped, ai akoma qëndron prapa idesë së ndryshimit të kufijve”, tha ajo

Të ngjashme