Haxhiu: Kurti e Thaçi janë takuar dy herë, nëse del e pavërtetë largohem nga jeta publike

Prishtinë | 13 Jan 2020 | 20:55 | Nga Ekonomia Online

Publicisti Baton Haxhiu insiston në vërtetësinë e deklaratës së dhënë në Info Magazine të Kushtrim Sadikut, se kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti dhe presidenti Hashim Thaçi janë takuar edhe dy herë të tjera, para takimit zyrtar të 6 janarit në Presidencën e Kosovës.

“Z.Thaçi dhe Z.Kurti janë takuar dy herë. Dhe kanë biseduar gjatë”, ka thënë ai në Info Magazine, duke u reaguar në deklaratën e drejtuesit të emisionit se takimi prej katër minutash i Thaçit dhe Kurtit ishte shumë i shkurtër.

Pas kësaj ka reaguar zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, i cili e ka quajtur gënjeshtër deklaratën e Haxhiut.

Në këtë reagim nga Lëvizja Vetëvendosje është përgjigjur publicisti Haxhiu, duke dhënë edhe detaje tjera për dy takimet e Albin Kurtit me Hashim Thaçin.

“Më vjen keq që ky lajm, i cili do të konsiderohej normal në secilin vend të botës merr kësi reagimesh. S’e di pse kane frikë nga takimet”.

“Para takimit zyrtar kanë ndodhur edhe dy takime tjera. Për hir të korrektësisë nuk dua ta përmend ndërmjetësuesin. Takimi i parë ka ndodhur me ndërmjetësimin e një institucioni ndërkombëtar. Takimi i dytë ka ndodhur me pajtimin e të dyve, pa ndërmjetësim. E kuptoj z.Manxhuka për reagimin e tij. Ai e ka thënë të vërtetën e tij. Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje me siguri nuk i ka treguar për këtë takim askujt nga partia e tij. Pres nga Albin Kurti të më demantojë vetë ai, nëse takimet nuk kanë ndodhur. Nëse kam gënjyer unë heq dorë nga jeta publike. Por, nëse ka gënjyer ai, duhet t’i kërkojë falje anëtarësisë së Lëvizjes Vetëvendosje, sepse nuk pranoj kërkim-falje nga ai”.

Të ngjashme