Haxhiu: Më mirë në opozitë sesa në Qeverinë e Albin Kurtit

Prishtinë | 11 Tet 2019 | 11:36 | Nga Ekonomia Online

Gjatë ditës së sotme do të bëhet e qartë nëse LVV-ja dhe LDK-ja do t’i harmonizojnë qëndrimet e tyre për të bashkëpunuar në qeverisjen e ardhshme. Pas takimit të sotëm mes dy palëve do të mësohet nëse do të ketë marrëveshje paszgjedhore LVV – LDK.

Nënkryetarja e AAK-së Teuta Haxhiu, ka thënë për Zërin se AAK-ja më mirë është të qëndrojë në opozitë sesa të jetë pjesë e qeverisë “Kurti”. Sipas saj, Aleanca assesi nuk duhet të jetë pjesë e kësaj qeverie.

“S’mund të jap një vlerësim në emër të subjektit, sepse nuk kemi biseduar për këtë temë, por personalisht mendoj që është e dëmshme me qenë në qeveri. “Është shumë më mirë të jemi pjesë e opozitës për të parë dallimin e vërtetë dhe premtimet që i ka dhënë Albin Kurti dhe sa mund t’i realizojë. Mendoj që nuk duhet Aleanca të jetë pjesë e kësaj qeverie”, ka thënë ajo. 

Haxhiu po ashtu ka komentuar edhe rezultatin që mori partia e saj në zgjedhjet e 6 tetorit. Ajo tha se AAK-ja duhet të mblidhet dhe ta shohë problemin se përse ka marrë këtë rezultat.

“Subjekti ynë duhet të mblidhet për të parë se ku kanë qenë problemet për rezultatin që ne e kemi marrë dhe të japim rekomandimet për hapat më tutje, njëkohësisht edhe për qeverisjen e ardhshme”, ka thënë më tutje ajo dhe ka theksuar se LVV-ja nuk ka përvojë aspak në qeverisje dhe se do t’u duhet gjithsesi LDK-ja. “Pa qeverisjen e LDK-së normal s’ka asnjë individ që mund t’i sjellë në dikastere, por ata mendoj që duhet të mësohen si në klasë të parë të shkollës fillore”, ka përfunduar ajo. 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme