Haxhiu në takim me Kosnett: Së shpejti fillon puna e grupit punues për vettingun

Prishtinë | 31 Mar 2021 | 16:02 | Nga Ekonomia Online

Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu së bashku me këshilltarin e lartë dhe shefin e kabinetit të Ministrisë Genc Nimoni si dhe asistenten ekzekutive të ministres Berita Abazi pritën në takim Ambasadorin z. Philip Kosnett, të shoqëruar nga zëvendës shefi i sektorit politik Andy Hay.

Në takimin e përbashkët u diskutua rreth rëndësisë së sundimit të ligjit, për të cilën shprehet e përkushtuar edhe Ambasada Amerikane.

Ministrja njoftoi ambasadorin Kosnett për prioritetet e Ministrisë së Drejtësisë. Si çështje e parë u diskutua rëndësia e kompletimit dhe implementimit të rishikimit funksional të sistemit të drejtësisë.

Më tej u potencua që së shpejti do të filloj puna e grupit punues për vettingun në sistemin e drejtësisë.

Ministrja Haxhiu renditi edhe prioritetet e Ministrisë së Drejtësisë në luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, fuqizimin e kapaciteteve të institucioneve dhe rishikimin e mekanizmave anti korrupsion, çështjet e krimeve të luftës (me fokus përmirësimin e kushteve dhe kapaciteteve të prokurorisë lidhur me ndjekjen e krimeve të luftës si dhe krijimin e mekanizmit për arkivimin e krimeve të luftës), formimi i Gjykatës Komerciale si dhe mbrojtjen nga dhuna në familje. Po ashtu u zotua se nismat e mira ligjore që kanë qenë në proces do të vazhdohen edhe më tej.

Ambasadori Kosnett shprehi interesimin e tij për respektimin e legjislacionit që kanë të bëjnë mes kabinetit ministror dhe shërbyesve civil me ç’ rast ministrja Haxhiu garantoi respektimin e ligjeve dhe rregulloreve që kanë të bëjnë me shërbyesit civil.

Vëmendje e veçantë iu kushtua edhe bashkëpunimit rajonal me shtetet fqinje me fokus në çështjet e drejtësisë si dhe çështjes së liberalizimit të vizave.

Në këtë drejtim të bashkëpunimeve rajonale ministrja informoi ambasadorin që kanë filluar kontaktet e para me Republikën e Shqipërisë dhe Republikën e Maqedonisë së Veriut. Ndërsa në anën tjetër potencoi vështirësitë e bashkëpunimit me Serbinë veçanërisht në çështjet e krimeve të luftës.

Sa i përket liberalizimit të vizave ministrja Haxhiu shprehu përkushtimin në veçanti në plotësimin e kushteve që kanë të bëjnë me luftimin dhe ndëshkimin e rasteve të korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Ministrja Haxhiu dhe ambasadori Kosnett shprehën vullnetin për të thelluar edhe më tej bashkëpunimin mes tyre.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme