Haxhiu: Nëse LDK-ja nuk tërhiqet nga kërkesa për Presidentin, alternativë mbeten zgjedhjet

Prishtinë | 24 Dhj 2019 | 13:40 | Nga Ekonomia Online

Kosova mbajti zgjedhjet më 6 tetor 2019, pas 1 muaji u shpall rezultati final me Albin Kurtin (LVV) forcë e parë dhe Vjosa Osmanin (LDK) forcë e dytë. Negociatat nisen heret për formimin e qeverisë së re por ato nuk po përmbyllen, pasi ata nuk bien dakord se kujt i takon posti i Presidentit. Deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, në një intervistë për “Abc News” tha se nëse LDK-ja nuk terhiqet nga kërkesa për Presidentin vendi mund të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

-A do të bëhet marrëveshja me LDK?

Haxhiu: Nga momenti kur kanë përfunduar zgjedhjet në Republikën e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje ka ndryshuar qasjen se si bëhen koalicionet. Tashmë kemi instaluar një mendësi tjetër. Menjëherë kemi kontaktuar partnerin tonë, LDK-në, që synojmë ta kemi në qeverisje. Kemi pasur një sërë takimesh duke harmonizuar programin qeverisës. Takimet janë përcjellë me frymë optimiste. Kosova ka shumë probleme të cilat nuk na kanë lejuar të ndalemi shumë te ideologjitë.

Më tej Haxhiu thekson se janë bërë ndarjet në ministri.

“Kemi përmbyllur çështjet programore dhe kemi bërë ndarjen në 12 ministri nga 21 që ishin, për shkak se ka pasur një tendencë për abuzime. 5 ministri do të drejtohen nga Lëvizja Vetëvendosje dhe 2 do të rezervohen për përfaqësuesit e komuniteteve jo shumicë në Kosovë”, tha Albulena Haxhiu.

Gjithashtu ajo shprehet se është hapur çështja e presidentit duke theksuar se nuk ka si qëllim të merren më këtë çështje.

“Qëndrimi ynë është të mos flasim për çështjen e presidentit. Kjo kërkesë nuk ka mbështetje nga qytetarët dhe nëse nuk tërhiqen nga kjo kërkesë, e vetmja alternativë mbeten zgjedhjet”, tha Haxhia.

Gjithashtu ajo theksoi se LDK duhet të këtë vullnetin për të bërë një koalicion me Vetëvendosjen dhe nëse nuk do të ndodhë alternativa mbeten zgjedhjet.

“Vullnetin që ka Vetëvendosje për të bërë koalicion duhet ta ketë edhe LDK. Koalicioni duhet të niset me mirëbesim ndërmjet të dyja palëve. Ne do të angazhohemi që ta jetësojmë vullnetin e qytetarëve, por nuk përjashtojmë edhe zgjedhjet e jashtëzakonshme në Republikën e Kosovës. Duhet të shohim dhe alternativat që janë për të bërë koalicionin, u shpreh deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme