Haxhiu: Pas vettingut do të ketë veprime serioze në luftimin e korrupsionit të nivelit të lartë

Prishtinë | 27 Pri 2022 | 14:13 | Nga Leonora Kolukaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, gjatë raportimit para Komisionit për Integrim Evropian, ka thënë se një delegacion i Komisionit të Venecias do të vijë në Kosovë në muajin maj për të dhënë opinionin e tyre rreth Projektligjit për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, raporton Ekonomia Online.

Haxhiu ka deklaruar se janë të përkushtuar për zbatimin e obligimeve në raport me agjendën evropiane. Haxhiu tha se nga 12 zotime që kanë pasur këtë vit, pesë prej tyre janë zbatuar deri tash.

Haxhiu tha se pas procesit të vettingut do të ketë veprime serioze në luftimin ndaj krimit dhe korrupsionit të nivelit të lartë.

“Së pri në kohë reale është miratuar koncepdokumenti për Vetttingut, së fundi kemi edhe projektligjin për vettingun në sistemin e drejtësisë. Ky zotim e premtim jemi siguruar qe të realizohet më praktikat më të mira. Ju kemi drejtuar edhe Komisionit të Venecias për opinion”, tha Haxhiu

“Një nismë tjetër është edhe projektligji që për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme. Kryesisht lëshohet te zyrtarët në Kosovë, po edhe pse e kemi sjell në kuvend e opozita ka kërkuar të kërkohet në opinion nga Komisioni i Venecias. Delegacioni i Venecias për këtë do të vijë në Kosovë  me 11 maj”, tha Haxhiu.

Haxhiu deklaroi se krerët e institucioneve të drejtësisë kanë vullnet të plotë në zbatimin e strategjisë për sundimin e ligjit. Ajo tha se i vetmi çelës për ta bërë Kosovën shtet të së drejtës është vetttingu.

“Kam pa vullnetin e plotë të krerëve të institucioneve të drejtësisë për zbatimin e strategjisë për sundimin e ligjit. Ne kemi pas një takim të përbashkët. Deri me tani nuk kam pa një mungesë të vullnetit për zbatim të kësaj strategjia. Dilemën e kanë të hapur, e kanë te çështja e Vettingut. Ju e dini që ne kemi marr mbështetje nga qytetarët nëpër të bërë reformat më drejtësisë. I vetmi çelës për ta bërë Kosovën shtet të së drejtës është vetttingu”, tha Haxhiu kur u pyet nga deputeti i VV-së.

Haxhiu tha se prokurorët nuk kanë pasur vullnet për t’i trajtuar siç duhet rastet e mëdha të krimit dhe korrupsionit. Ajo tha se “do të ketë probleme në qoftë se do të kemi institucione që nuk e kryejnë detyrën e tyre”.

“Ne jemi duke u munduar që përmes procesit të Vettingut të kemi prokurorë dhe gjyqtarë me integritet që nuk ndikohet nga askush. Në të kaluarën, sidomos në rastin e veteranëve, ju e dini, ne kemi pasur hapur ndikime te prokurori Elez Blakaj, i cili fatkeqësisht u detyrua që ta lëshojë vendin dhe të largohet nga Kosova”, theksoi Haxhiu.

Ministrja e Drejtësisë tha se nuk beson se pa Vettingun mund të ketë veprime serioze në rastet e luftës kundër krimit dhe korrupsionit.

“Mund të ketë rezistencë sepse dikujt po i konvenon këtë gjendje, mirëpo neve jo. Ne do të punojmë derisa ta kemi shtetin e së drejtës”, tha ajo.

Haxhiu tha se do të vazhdojnë të punojnë më reformat më drejtësi.

Gjatë pyetjeve, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Agon Batusha u interesua për procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën.

“A keni pas rast nga ndonjë shtet skeptik për liberalizim të vizave që ka kërkuar kritere shtesë në aspektin e drejtësie”, pyeti ai.

Ministrja nuk dha ndonjë afat kohor se kur do të liberalizohen vizat për qytetarët e Kosovës, por tha se do të vazhdojnë dialogun me Francën dhe vendet skeptike për t’i bindur se meritojnë një gjë të tillë.

“Pas zgjedhjeve në Francë besoj që do të vazhdoj dialogu për t’i bindur ata për të drejtën e qytetarëve tanë për të lëvizur lirshëm. Jam e njoftuar me angazhimin e qeverisë së Kosovës me shtetet skeptike në këtë drejtim dhe natyrisht presim për liberalizim të vizave”, tha ai.

Haxhiu shprehu keqardhje që opozita nuk ishte gjatë raportimit të saj në komision.

“Më vjen shumë keq që opozita nuk e shfrytëzoi një mekanizëm që është i rëndësishëm siç është mbikëqyrja parlamentare. Pasi përmes këtij mekanizmi ata kërkojnë llogari për veprimet tona”, tha ajo.

Nënkryetarja e komisionit, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, duke aluduar në deputeten e AAK-së, Time Kadrijaj, tha se e njëjta hyri u nënshkrua sa për mëditje dhe doli nga mbledhja e komisionit.

“Ne e pamë që me të filluar kjo mbledhje një anëtare e opozitës hyri u nënshkrua dhe doli. Kjo është një çështje që duhet të diskutojmë, publikisht dua të kërkojë nga administrata të na sjellin një flet të re të nënshkrimeve dhe t’i japim fund nënshkrimeve sa për mëditje”, potencoi ajo.

Të ngjashme