Haxhiu: Për anëtarësim në NATO, po marrim përkrahjen e shteteve edhe në takime të mbyllura

Prishtinë | 13 Qer 2022 | 18:33 | Nga Ekonomia Online

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, deklaroi se për anëtarësim në NATO, Kosova po merr përkrahjen e shteteve edhe në takime të mbyllura.

Për Klan Kosova, ajo u shpreh se ka shtete që në këso rrethana kanë thënë që do të votojnë PËR, por që ende nuk e kanë thënë këtë edhe në publik.

“Padyshim që në takimet që kam pasur me përfaqësues të BE-së, kryesisht janë përfaqësues që merren me çështje të drejtësisë, e kam përmendur rëndësinë që Kosova të anëtarësohet edhe në Këshillin e Evropës edhe në NATO. Por qëndrimet e shteteve, disa janë publike, për shembull, Gjermania e mbështet fuqishëm Kosovën në rrugën e saj evropiane, ka edhe shtete të tjera të cilat e kanë mbështetur Kosovën, po them Kroacia, Sllovenia dhe të tjera si këto. Megjithatë ka edhe shtete tjera të cilat ndonëse në takimet tona të mbyllura e mbështesin fuqishëm dhe kanë thënë që do të votojnë për, ende nuk është që kanë dalë në publik”.

“Me rëndësi është që ato të na ndihmojnë në format që ata e konsiderojnë se janë të pranueshme, të mirëseardhura, më të lehta apo praktike që të na ndihmojnë. Ndoshta është e rëndësishme edhe mbështetja publike, por megjithatë unë jam e bindur që tashmë ministrja e Punëve të Jashtme sikur edhe Presidentja, kryetari i Kuvendit dhe kryeministri po punojnë fuqishëm që Kosova ta ketë mbështetjen e shteteve qoftë ato që e kanë njohur Kosovën, qoftë edhe ato që nuk e kanë njohur”, vlerësoi Haxhiu.

Të ngjashme