Haxhiu: Politikanët tërhoqën mjetet nga Trusti, pse po iu mohohet qytetarëve

Prishtinë | 15 Qer 2022 | 13:10 | Nga Lindita Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Partia Demokratike e Kosovës ka ftuar deputetët që ta miratojnë Projektligjin për tërheqjen e mjeteve nga Trusti Pensional, raporton Ekonomia Online.

Deputeti i kësaj partie, njëherësh iniciues i këtij Projektligji, Bekim Haxhiu, ka përsëritur thirrjen që Kuvendi t’ua mundësojë qytetarëve një tërheqje të re nga Trusti.

“Nesër është dita 100-të prej kur ne e kemi dorëzuar projektligjin për Trustin ne Kuvend. Pushteti i Albin Kurti në vazhdimësi e ka shtyrë trajtimin e këtij projektligji, duke shkelur edhe rregulloren e punës së Kuvendit të Kosovës. Kjo shtyrje është bërë me qëllim që të ushtrohet presion mbi deputetët për të mos e votuar një kërkesë të qytetarëve që ju mundëson tërheqjen e mjeteve nga Trusti. Derisa miratimi i Projektligjit për Trustin është shtyrë plot 100 ditë, kriza ekonomike ka shkuar duke u thelluar edhe më shumë”, tha Haxhiu.

Ai tha se me miratimin e këtij projektligji përfitojnë rreth 700 mijë qytetarë që kanë kursime në Trust, ndërsa propozoi që Qeveria përmes buxhetit të shtetit të mbështesë me nga 100 euro në vazhdimësi rastet sociale, të papunët dhe pensionistët, deri në hartimin e përbashkët të reformës pensionale.

“Andaj, si deputet në emër të PDK-së, ftoj të gjithë deputetët, pa dallim, pozitë dhe opozitë që ta mbështesin me votë Projektligjin për Trustin, ata janë përfaqësues të qytetarëve, të zgjedhur me votë nga qytetarët dhe duhet të votojnë për kërkesën e qytetareve që ju mundëson tërheqjen e mjeteve nga Trusti. Pas publikimit te deklarimit të pasurisë e kemi parë që shumë politikanë dhe familjarët e tyre kanë tërhequr vetë mjetet nga Trusti, dhe është e pamoralshme që këtë t’ua ndalojnë tani qytetarëve”, tha ai.

Sipas propozimit të Haxhiut, qytetarëve do t’u mundësohet tërheqje deri në 30 për qind të Trustit për të kaluar krizën ekonomike. Megjithatë, propozimi s’ka marrë mbështetjen e pushtetit.

“Nga deklarimi i pasurisë u pa që shumë politikanë kanë tërhequr mjete nga Trusti, pse kjo tu mohohet qytetarëve. Edhe vetë drejtori i Trustit i ka tërhequr mjetet, kur pushtetarët tërheqin mjete nga Trustit pse kjo t’u ndalohet qytetarëve. I ftoj deputetët që me vullnet të lirë të vonojnë ligjin për tërheqjen e mjeteve të Trustit dhe Qeveria të ndal presion ndaj deputetëve”, ka thënë ai.

Ndërkaq, anëtarja e kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Safete Hadërgjonaj tha se kjo qeverisje mashtruese dhe pa alternativë, çdo ditë po e varfëron qytetarin e Republikës së Kosovës.

“Në këtë situatë ku Qeveria nuk ka ndërmarrë asnjë masë për të lehtësuar jetën e qytetarëve, e vetmja zgjidhje për qytetarët ka mbetur tërheqja e mjeteve të kursimit në Fondin e Kursimeve Pensionale. Ne do të donim që Qeveria në këtë periudhë krize, kur çdo ditë ka rritje të çmimeve të ndërmerrte veprime urgjente për t’ua lehtësuar jetën qytetarëve, por kjo nuk po ndodhë.”, theksoi Hadergjonaj.

Të ngjashme