Haxhiu: Qeveria Kurti e Hoti u treguan të paafta në menaxhimin e pandemisë, e shfrytëzuan për ta keqpërdorur buxhetin e shtetit

Prishtinë | 17 Nën 2020 | 15:24 | Nga Ekonomia Online

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu në seancën për debatin parlamentar lidhur me pandeminë COVID 19 ka thënë se qeveritë Kurti dhe Hoti janë treguar të paafta në menaxhimin e kësaj situate.

Për më tepër, sipas tij zyrtarët e VV-së dhe LDK-së e shfrytëzuan këtë gjendje për ta zhvatur buxhetin e shtetit për vete, përderisa i mbyllën bizneset për tre muaj.

“Në këtë kohë krize patëm hajni në pandemi. U vjedh e u keqpërdor buxheti i shtetit që nga blerja e dorëzave, dezinfektuesve, maskave, edhe në thasë të kufomave u vjedh. Sot situata me pandeminë është buzë kolapsit.” , tha Haxhiu.

Ai theksoi se Kosova është vendi i vetëm në botë që po përballet me valën e tretë të përhapjes së virusit COVID 19 dhe kjo si shkak i paaftsisë së qeverive me menaxhimin e situatës, pasi ministrat e shëndetësisë më shumë kanë vrapuar për të dalë në media dhe për t’i dënuar bizneset.

“Pritoritet i LDK-së dhe VV-së nuk ka qenë pandemia, por pushteti, prandaj kemi sfilata me flija e nuk kemi vizita, as të Arben Vitisë, as të Albin Kurtit, as të Avdullah Hotit në QKUK.” , ka thënë Haxhiu.

Deputeti i PDK-së ka përmendur se qeveritë Kurti e Hoti në këtë periudhë më shumë janë marrë me shkarkime të bordeve, se sa me marrjen e masave të duhura për ta shpëtuar shëndetin e qytetarëve nga virusi COVID 19.

Të ngjashme