Haxhiu: Selimi refuzoi avokat sepse sipas tij nuk mundet askush ta mbrojë si ai UÇK-në

Prishtinë | 11 Nën 2020 | 21:48 | Nga Ekonomia Online

Albulena Haxhiu, nga Lëvizja Vetëvendosje, në emisionin DESKU në KTV ka thënë se Rexhep Selimi kishte refuzuar që të kishte avokat, pasi thoshte se askush s’mund ta mbrojë UÇK-në si ai.

“Prej kohës kur Selimi është ftuar nga Gjykata Speciale ne kemi pyetur, edhe unë personalisht e kam pyetur z. Selimin nëse do të angazhojë ndonjë prej avokatëve, sepse të tjerët siç e keni parë i kanë bërë qysh më herët ekipet mbrojtëse. Por, Selimi ka refuzuar duke konsideruar që ‘nuk mundet askush ta mbrojë më mirë se unë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës’”, ka deklaruar Haxhiu. “Si qëndrim politik e kuptoja, por gjatë kësaj kohe ne kemi pasur kogja shumë vështirësi për faktin se ai ka refuzuar të ketë avokat ndërsa ne kemi menduar që nuk është e drejtë që të mos ketë avokat. Përball një aktakuze që është jashtëzakonisht shumë e rëndë, plus z. Selimi aktualisht mbahet në paraburgim”.

Megjithatë, ajo ka thënë se Selimi ka bërë që ka pranuar një avokat siç është e përcaktuar sipas detyrës zyrtare.

“Dhe ne nuk e dimë se si do të shkojë çështja. Është jashtëzakonisht e vështirë për çfarëdo procedure pranë Dhomave të Specializuara që ta konsumosh ose ta bësh nëse je në paraburgim. Unë besoj se këshillat tona që ia kemi dhënë, qoftë kryetari Kurti, qoftë ne si miq e bashkëpunëtorë të tij që të marrë avokat. Unë besoj se ka bërë mirë që i ka marrë përsipër. Siç e keni parë sot është mbrojtur nga avokati sipas detyrës zyrtare sepse nuk pati pranuar që të ketë avokat, por që sipas legjislacionit në fuqi është i obliguar që ta ketë. Pra, proceduralisht kërkohet, prandaj edhe është bindur që duhet ta ketë një avokat, gjegjësisht ekip për ta mbrojtur para gjykatës”, ka thënë Haxhiu.

Të ngjashme