Haxhiu s’përgjigjet nëse e respekton vendimin e Kushtetueses, LDK e akuzon për presion

Prishtinë | 17 Maj 2020 | 20:14 | Nga Ekonomia Online

Në kohën kur Gjykata Kushtetuese po e shqyrton dekretin e presidentit për çështjen e mandatarit, ndërmjet partive politike po shtohen përplasjet. Ministrja në detyrë e Drejtësisë Albulena Haxhiu, ka thënë se nuk mund të përgjigjet nëse VV do të respektojë secilin vendim të Gjykatës, në anët tjetër kryetari i LDK’së këtë e ka quajtur si presion ndaj Gjykatës.

39 maji është afati deri kur Gjykata Kushtetuese do të vendosë për dekretin e presidentit Hashim Thaçi për çështjen e mandatarit për qeverinë e re. Por vendimi që pritet të marrë kjo Gjykatë ka nxitur edhe përplasjen ndërmjet ish-partnerëve të koalicionit, LDK dhe Vetëvendosje.

Ministrja në detyrë e Drejtësisë Albulena Haxhiu nuk ka pranuar të përgjigjet nëse Vetëvendosje do ta pranojë vendimin e Gjykatës, cilido që është ai.

“Nuk mund të përgjigjem me ‘po’ ose ‘jo’, parapëlqej të flasim për përmbajtje. Është shumë formale ta kërkosh një përgjigje me ‘po’ ose ‘jo’”, tha ajo për ‘Betimi për Drejtësi’.

Haxhiu veprimin e saj e ka mbështetur duke thënë se ndaj gjyqtarëve të Gjykatës po bëhet presion.

Pikërisht për presion, VV’në po e akuzon Lidhja Demokratike e Kosovës. Sipas kryetarit të LDK’së , Isa Mustafa, dilemat e VV’së për respektimin e vendimit të Gjykatës ndjellin frikë.

“Askush nuk mund të qëndrojë në pushtet në mënyrë antikushtetuese. Mosdeklarimi i tyre është një presion që po ia bëjnë Gkykatës Kushtetuese, për të nxjerrë një vendim që ata e dëshirojnë. Të mbjellin frikë e të ushtrojnë presion”, thotë Mustafa.

Mustafa për RTK’në tha se subjekti që ai drejton do ta respektojë secilindo vendim të Gjykatës.

Të ngjashme