Haxhiu: Thaçi po hesht, por nuk e ka harruar idenë e ndryshimit të kufijve

Prishtinë | 08 Pri 2019 | 10:32 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka një kohë që nuk e ka përmendur idenë e tij për korrigjimin kufitar me Serbinë.

Lidhur me këtë deputetja e lëvizjes “Vetëvendosje”, Albulena Haxhiu, në një intervistë për gazetën “Zëri”, ka deklaruar se kjo temë nuk ka mbetur në hije pasi që, sipas saj, Serbia është e interesuar që të marrë territor nga Kosova, shkruan “Zëri.info”.

” Ne e dimë që Serbia dëshiron të marrë territor nga Kosova e jo të japë, prandaj e kemi parë si një qasje shumë negative dhe argumenti ynë është që Thaçi nuk beson në integritetin territorial të Kosovës dhe që ky është në gjendje të bëjë gjithçka vetëm për veten e tij. Nuk po them që Thaçi është tërhequr nga kjo ide, sepse ai do të shikojë, madje siç kemi dëgjuar ne i vetmi projekt në tavolinën e Brukselit është ideja për shkëmbim territorial”, ka deklaruar Haxhiu.

Deputetja e VV-së fajin e ka hedhur te Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, që, sipas saj, ka pasur një rol negativ në procesin e dialogut.

“Mendoj që Frederika Mogerini ka pasur një rol mjaft negativ në këtë proces, madje ajo ndonëse konsiderohet si ndërmjetësuese mes dy vendeve në vazhdimësi ka anuar nga Serbia, edhe pavarësisht luftës së egër të Serbisë ndaj Kosovës asnjëherë nuk i kanë evidentuar këto dhe gjithmonë është fajësuar Kosova. Por sidoqoftë ne do ta kundërshtojmë këtë ide me protesta e demonstrata nëse ajo qëndron ende, sepse ne nuk falim territor”, ka pohuar ajo.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme