Haziri: 17 shkurti shënon hapin më të madh në histori drejt afrimit shqiptar në Ballkan

Prishtinë | 16 Shk 2019 | 16:20 | Nga Ekonomia Online

Kuvendi Komunal i Gjilanit, në praninë e personaliteteve dhe mysafirëve të shumtë nga Kosova, Maqedonia e Shqipëria, ku ka marrë pjesë edhe ambasadori Qemajl Minxhozi, sot, në kuadër të shënimit të 11-vjetorit të pavarësisë së vendit, ka zhvilluar ceremoninë e nderimit me titull “Qytetar Nderi” të tri personaliteteve të rëndësishme, profesorit Irakli Koqollari nga Shqipëria, afaristit Fehmi Fetahu si dhe veprimtarit Ilir Mustafa (pos mortum).

Lutfi Hazir, kryetar i Komunës, ka thënë me këtë rast se pavarësia e Kosovës, është një akt që shënon sublimimin e kërkesës qytetarëve për të jetuar të barabartë në këtë pjesë të botës dhe shënon hapin më të madh në histori drejt afrimit të shqiptarëve në Ballkan.

“Republika jonë dhe unë si kryetar i qytetit të Gjilanit dhe nënshkrues i deklaratës së pavarësisë së Kosovës, jemi të nderuar që sot mund të shohim se ku kemi arritur në këtë rrugëtim, 11 vjet pas pavarësisë, në funksionalizimin e kësaj republike dhe ndërtimin e një jete sa më të mirë”, tha Haziri.

Pasi bëri një vështrim mbi rrugëtimin e gjatë të popullit shqiptar për çlirim, që nga koha e kryengritësve të mëdhenj e këndej, Haziri u ndal te periudha e viteve të nëntëdhjeta e këndej, duke thënë se personalisht i përket brezit të Republikës, një lëvizje kjo gjithë popullore e udhëhequr nga Ibrahim Rugova, e deri te organizimi i njësive të para për luftë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme