Haziri i kundërpërgjigjet Haradinajt: Pengesat për liberalizim i ke brenda qeverisë

Prishtinë | 20 Maj 2018 | 10:38 | Nga

Nënkryetari i LDK-së, njëherësh kryetar i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, duke iu kundërpërgjigjur kryeministrit Ramush Haradinaj i cili mbrëmë në një emision televiziv tha se LDK po punon kundër liberalizimit të vizave, ka thënë se partia e tij ka votuar për heqjen e kushtit të demarkacionit për liberalizim, që, sipas tij, “tregon çfarë ne kemi bërë dhe ne jemi ata që po e sjellim liberalizimin e vizave”.

Zotni kryeministër, si nënkryetar i LDK-së, prezenca në samitin e EPP-së në Sofje para liderëve, kryeministrave, presidentëve të shteteve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, ka qenë në funksion të agjendës se Republikës, ku liberalizimi ka qenë kërkesë kryesore. Në funksion të kësaj, ka qenë takimi me kryetarin e EPP-së, Dole, kryetarin e PE, Tajani, kryetari i GP të EPP-së, kryetari e KE-së, Tusch, komisionerin Han e shumë personalitete tjera. Ne kemi nënvizuar këtë qëllim dhe fakti që LDK ka votuar për largimin e kushtit të fundit politik – demarkacionin me Malin e Zi, tregon çfarë ne kemi bërë dhe ne jemi ata që po e sjellim liberalizimin e vizave”, ka theksuar Haziri përmes një statusi në Facebook.

Tutje, ai i ka thënë kryeministrit Haradinaj se “pengesat i ke brenda qeverisë” dhe tek “partnerët tuaj qeverisës”.

“Aty kërkoje fajtorin e agjendën shtetformuese dhe integrimet euroatlantike”, deklaroi nënkryetari i LDK-së.

Sipas tij, LDK-ja është partner pa të cilin nuk bëhet ky proces i suksesshëm.

Ndërkaq, Haziri tha po ashtu se zgjedhjet e brendshme të LDK-së janë të ndara nga këto zhvillime sepse mbahen në maj 2019.

“Ne jemi të angazhuar për stabilitet politik e institucional duke ndihmuar edhe në dialogun e brendshëm politik, agjendën euroatlantike të Kosovës e liberalizimin e vizave, por në temat tjera duhet të dakordohemi në tryezën e partive”, tha Lutfi Haziri në fund.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme