Haziri lavdëron Hotin për marrëveshjen në Uashington dhe njohjen nga Izraeli

Prishtinë | 13 Sht 2020 | 14:19 | Nga Ekonomia Online

Njeriu i dytë në LDK, Lutfi Haziri, ka fjalë të mira për Marrëveshjen e arritur mes Kosovës dhe Serbisë në Washington. Ka thënë se është rikthyer roli amerikan në dialog, është bërë hapja e korridoreve ekonomike. E ka mirëpritur edhe njohjen nga Izraeli.

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka nisur të ndryshojë pak mendjen sa i përket punëve që po i bën Kryeministri Avdullah Hoti. Derisa më herët e ka kritikuar për menaxhimin e pandemisë dhe për dialogun me Serbinë, tash Haziri ka nisur të flasë fjalë të mira për Marrëveshjen e Washingtonit.

Haziri ka thënë se Marrëveshja është pozitive në tri aspekte. Së pari, për shkak të rikthimit të amerikanëve në dialog. Së dyti, për shkak të hapjes së korridoreve ekonomike në rajon. Dhe, hapi tjetër pozitiv i Marrëveshjes është njohja nga Izraeli.

“Rikthimi i fuqishëm i rolit amerikan në ndërmjetësimin dhe hapja e korridoreve ekonomike për rajonin. Njohja e Izraelit hap mundësi për Kosovën, po ashtu”, ka thënë Haziri, për Express.

PDK dhe Vetëvendosje kanë kundërshtuar marrëveshjen e arritur më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë. Kanë pasur vërejtje sidomos në dy pikat e Marrëveshjes atë për Ujmanin dhe për Minishengenin.

Kryeministri Avdullah Hoti e ka mbrojtur ujdinë e arritur me ndihmën e Donald Trump duke thënë se po shkohet drejt njohjes reciproke me Serbinë.

Të ngjashme