Haziri: Pretendimi se Trump dërgoi dikë në Prishtinë – rrenë e kulluar

Prishtinë | 01 Tet 2019 | 16:17 | Nga Ekonomia Online

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka thënë që pretendimet kinse Presidenti amerikan, Donald Trump, ka dërguar dikë nga Washingtoni në Prishtinë, janë rrenë e kulluar dhe e pastër.

Ai kështu ka thënë gjatë prezantimit të programit qeverisës në Istog, duke shtuar se Kosova beson vetëm në kandidaten e LDK-së për kryeministre, Vjosa Osmanin, njofton Klan Kosova.

“Qysh po shihet në Istog dhe krejt Kosovën, s’do të kemi nevojë për partnerë për ta formuar Qeverinë. Ju lus, e kam një kërkesë të veçantë; jo rastësisht e kemi zgjedhur Istogun – me ju të fillojmë një aksion të ri dhe një besim të ri. Ju lus t’i nxirrni telefonat të gjithë dhe dëgjoni mirë”.

“Unë besoj që Vjosa do të fitojë, krejt po besojnë që ajo do të fitojë shumë. Ata që në mënyrë patetike po mundohet të na helmojnë qytetarin duke hapë lajme të rreme, po hapin faqe të rreme, po mashtrojnë njerëz që t’i kthejnë qytetarët kundër Vjosa Osmanit”.

“Po krijojnë storie të tilla të rrejshme gjoja se Presidenti Trump ka dërguar dikë prej Washingtonit të vijë në Prishtinë, që është rrenë e kulluar dhe e pastër”.

“Kosova beson në Vjosa Osmanin. Bëjeni një selfie dhe shkruani se unë besoj në Vjosën që t’ua qojmë një të qeshur të madhe atyre që po mundohen të na dëmtojnë”.

“Të ua qojmë pesë mijë fotografi vetëm nga Istogu. Ju lutem shkruani unë besoj të vërtetën – unë besoj në Vjosa Osmanin”.

Kujtojmë se gjatë ditës është raportuar se Matthew Whitaker, i cili për katër muaj kishte shërbyer si Ministër i Drejtësisë në Administratën e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, ka arritur në Kosovë për ta mbështetur kandidatin për kryeministër nga Partia Demokratike e Kosovës, Kadri Veselin.

Të ngjashme