Haziri takohet me ambasadoren e Izraelit, konfirmohet bashkëpunim në agro-biznes

Gjilan | 12 Kor 2019 | 17:55 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka pritur sot në një takim pune ambasadoren e shtetit të Izraelit në Beograd, Alona Fisher-Kamm, e cila mbulon edhe rajonin ku mes tjerash temë e takimit ka qenë kryesisht mbështetja dhe përvojat në agro-biznes.

Sipas kësaj Komune, Haziri ka thënë se kanë biseduar për fushën e agro-biznesit në përgjithësi, për përpunimin e ushqimit, shkollën profesionale të agro-biznesit dhe bashkëpunimet e mundshme në të ardhmen.

“Bashkëpunimi në fushën e agrobiznesit në përgjithësi është një konfirmim i përbashkët për qka kemi marrë mbështetje të madhe për angazhimin në të ardhmen si dhe mundësinë e bashkëpunimit të shkollës profesionale të bujqësisë dhe të universitetit “Kadri Zeka” me universitetet tjera. Meqë jemi në prag të festës së madhe të Shabatit, në emër të qytetarëve të Komunës së Gjilanit e kam uruar ambasadoren dhe komunitetin izraelit kudo që janë, për fetën e cila paraqet lidhje dhe shenjë të veçantë me Perëndinë. Ne kishim një komunitet hebrej që ka jetuar në Gjilan, mirëpo për shkak të luftës së fundit, ata janë shpërngulur dhe tashmë janë qytetarë të Izraelit dhe njëkohësisht edhe gjilanasit më të mëdhenj që i ka Izraeli”, ka thënë Haziri.

Ndërsa, Ambasadorja Fisher-Kamm ka thënë se ndjehet e lumtur për mikpritjen e ngrohtë që ka marrë nga kryetari i Gjilanit dhe qytetarët, duke theksuar se edhe në të ardhmen do të vazhdojnë bashkëpunimin me komunën e Gjilanit, veçanërisht në fushën e agrokulturës.

“Biseduam për potencialin dhe forcimin e marrëdhënieve në fushën e bujqësisë në mes të Gjilanit dhe Izraelit, duke marrë parasysh përvojat tona, veçanërisht në këtë fushë të agrokulturës, ushqimit, sigurinë dhe procesin e ushqimit, por edhe agroteknologjinë në përgjithësi. Së bashku me ekipin tim jemi këtu me qëllim që t’i ndajmë përvojat mes vete dhe të mësojmë se si të bëhen gjërat më mirë. Shpresoj që në një të ardhme të afërt do të mund të shohim një raport të rëndësishëm, sidomos në fushën e agrokulturës sepse kjo është diçka esenciale jo vetëm për Kosovën apo Izraelin por për të gjithë njerëzimin, për punuar në sigurim të ushqimit të sigurt dhe për të vazhduar traditën në agrokulturë për shkak se është e rëndësishme për ekonomi, shoqëri dhe për këndvështrimin historik gjithsesi”, ka thënë Fisher-Kamm.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme