Hekuran Murati: Qytetarët na votuan që ta kthejmë shpresën, s’kemi kohë për të humbur

Prishtinë | 03 Nën 2019 | 22:38 | Nga Ekonomia Online

Deklarata e nënkryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, se zgjedhja e kryeministrit duhet të kalojë përmes zyrave të kësaj partie, ka shkaktuar reagime në radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Më herët zyrtarët e të dyja partive kanë thënë se nuk janë marrë vesh ende për ndarjet e posteve ministrore, por kreu i LDK-së Isa Mustafa të premten tha se derisa të certifikohen rezultatet e zgjedhjeve, LDK vazhdon ta ketë Vjosa Osmanin kandidate për kryeministre.

Edhe nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka thënë se emri i kryeministrit kalon nëpër zyrat e LDK-së, pasi sistemi aktual zgjedhor në Kosovë asnjë partie nuk ia mundëson ta formojë qeverinë e vetme.

Por, kandidati për deputet nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati ka reaguar ndaj deklarimeve të Hazirit, duke thënë se ato nuk i bëjnë nder LDK-së.

“Deklarata të stilit ‘që s’e shutoj unë penalltinë, e marr topin e shkoj në shpi’, nuk i bëjnë nder një partie që pretendon të jetë institucionaliste e shtet-formuese”, shkruan Murati në Facebook.

Ndërsa deklarata e Hazirit erdhi në kohën kur Lëvizja Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, si parti e dytë, janë duke zhvilluar bisedime për formimin e koalicionit qeveritar, Murati thotë se nuk ka kohë për të humbur.

“Shumë punë na pret, e kohë për të humbur nuk kemi. Qytetarët na votuan që të punojmë dhe ta kthejmë shpresën. Andaj edhe duhet të sillemi siç na takon”, shkruan kandidati i VV-së për deputet Hekuran Murati.

Të ngjashme