Heqja e takës për bllokat nga Serbia, ish-ministri i Tregtisë ia kujton VV-së sloganin “Serbia nuk kalon”

Prishtinë | 30 Kor 2021 | 21:11 | Nga Ekonomia Online

Ish-ministri i Tregtisë, Bajram Hasani ka reaguar ashpër pas heqjes së taksës ndaj blloqeve të ndërtimit të importuar nga Serbia.

Hasani nëpërmjet një postimi në Facebook ka thënë se këtë taksë e kishte vendosur sa ka qenë ministër në mënyrë që të mbrojë prodhuesit Kosovar të blloqeve nga konkurrenca e padrejtë.

“Ministrja e Industrisë, Ndërrmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari e paska hequr taksën për bllokat e ndërtimit që importohen nga shteti fqinj verior, Serbia. Në kohën time e pata zgjeruar gamën e produkteve të argjiles. Këtë taksë e pata bërë për t’i mbrojtur prodhuesit kosovar nga konkurrenca e padrejtë e prodhimeve serbe, e atyre që siç thoshte vet Vetëvendosje para se të vinte në pushtet, sillnin blloka për të ndërtuar atë që dikur e kishin shkatërruar”, tha ai.

Ish-ministri tha se Vetëvendosje erdhi në pushtet me premtimin për të vendosur masën e reciprocitetit me Serbinë por sipas tij, jo që nuk ë bënë këtë por i anuluan edhe masat ekzistuese ndaj Serbisë.

“Në kohën sa e kam drejtuar Ministrinë e Tregtisë, duke e parë interesin e shtetit dhe prodhuesve vendor pata vendosur masa për produkte të ndryshme si mielli, bllokat, qumështi, pemët e perimet vetëm e vetëm që të ndihmonim ekonominë tonë. Por, të gjitha këto masa u larguan. Në interes të kujt nuk arrij ta kuptoj!? Erdhën në pushtet me premtimin për vendosjen e reciprocitetetit, por po i heqin edhe ato pak masa ndaj Serbisë, ndërkohë që, sipas statistikave, importi nga Serbia veç po rritet. Duke i hequr masat ndaj Serbisë, ata tentuan t’ua shtojnë edhe një taksë prej 5 eurosh qytetarëve gjatë regjistrimit të veturave, për të cilën u penduan dhe e anuluan më pas. Mbase edhe për bllokat e Serbisë do të pendohen.”, tha ai.

Hasani ka ironizuar me Vetëvendosjen duke e përmendur një parullë të saj sa ishte në opozitë se: Serbia nuk kalon.

“Nëse nuk e keni guximin për vendosjen e reciprocitetit, të paktën leni në fuqi ato masa që janë në mbrojtje të prodhimit tonë. Ose nëse nuk jeni në gjendje as këtë ta bëni, na kurseni prej moralizimeve hipokrite e stigmave që i vini ndaj secilit. Fundja keni konsideratë ndaj aktivistëve e ish-aktivistëve tuaj që besonin në këtë kauzë! Serbia nuk kalon!”, ka shtuar Hasani.

Të ngjashme