Historia e hidhur e Denverit ku ishte përfshirë LVV, Vlora Çitaku dhe Chris Hill

Prishtinë | 24 Gus 2022 | 15:49 | Nga Ekonomia Online

Ishte 18 maji i vitit 2017. Ambasadorja e Kosovës në Amerikë, Vlora Çitaku bashkë me diplomatin amerikan, Christopher Hill ishin të ftuar në Denver ku do të flisnin për raportet Kosovë-Serbi dhe rritjen e influencës ruse në Ballkan.

Megjithatë, jo gjithçka shkoi sipas planit dhe agjendës. Përgjatë kohës që po mbahej ky diskutim, ish-ambasadorja Çitaku ishte sulmuar me vezë nga një përkrahëse e Lëvizjes Vetëvendosje.

Ajo e kishte akuzuar Çitakun në lidhje me rastin e vdekjes së Astrit Deharit, aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje.

Aty prezentë ishte edhe tashmë ambasadori i Amerikës në Beograd, Christopher Hill, i cili tenton të ngritët për ta qetësuar situatën. Megjithatë, aktivistja e VV-së, Blerta Avdili ishte larguar nga salla.

Me të përfunduar ky organizim, ambasadorja Çitaku kishte reaguar në rrjetet sociale. Ajo kishte thënë se është sulmuar padrejtësisht, për një rast që nuk kishte të bënte asgjë me të.

“Nga fundi i bashkëbisedimit, një aktiviste shqiptare, u ngrit, më akuzoi që jam kriminele, vrasëse ( duke iu referuar vdekjes së Astrit Deharit ), pastaj akuzoi Ambasadorin Hill që po promovon kriminelët. Dhe në fund hodhi vezë në drejtimin tim. Vezët nuk e kanë vrarë kurrë askënd. Po fjalët vrasin. Sigurisht që ndjehem e lënduar nga ato fjalë të rënda, dhe nga ato shpifje pa krip. Është krejt normale të kemi mospajtime, por ato duhet të mbesin në nivelin e debatit, e asnjëhere në sulm e shpifje ndaj tjetrit”, kishte shkruar Vlora Çitaku në facebook.

Në krejt këtë situatë, pa dëshirën e tij ishte i përfshirë edhe diplomati i njohur amerikan, Christopher Hill.

Raporti Kurti – Hill

Disa vite më vonë, dallimet ndërmjet Vetëvendosjes dhe ambasadorit Hill janë shtuar. Por kësaj radhe, për dialogun Kosovë-Serbi dhe takimin e fundit në Bruksel.

Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, ka dhënë deklarata të forta për takimin e 18 gushtit në Bruksel mes Kurtit dhe Vuçiqit. Ai lavdëroi qasjen e Serbisë dhe kritikoi qasjen e Kosovës, duke nxitur shumë reagime në vendin tonë. Por, a kishte paralajmërime për një gjë të tillë?

“Të them të drejtën, pala serbe veproi mirë. E dinin se për çfarë do të flisnin, çfarë ishte e rëndësishme. Fatkeqësisht, disa prej të tjerëve nuk ishin të përgatitur për të folur për specifika” – ishte shprehur z. Hill për sajtin serb N1.

Ai ripotencoi rëndësinë e specifikave edhe më pas: “”Mendoj që për të zgjidhur këto çështje përfundimisht duhet të flisni për specifika.”

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i është përgjigjur në mënyrë të tërthortë deklaratave të ambasadorit amerikan Christopher Hill me anë të dy deklaratave të ndryshme që nuk lidhen logjikshëm me njëra-tjetrën.

Kurti denoncoi qasjen e Serbisë së “jokonstruktive” derisa u shpreh se ajo nuk kishte pasur qasje “konstruktive”.

Hill kishte deklaruar se pala serbe kishte qenë e përgatitur për të folur për tema specifike, por jo edhe pala kosovare.

Kurti duke adresuar këtë koment, u shpreh si vijon:

“Ka qenë takim i liderëve dhe duhet të bisedojmë për kornizën e përgjithshme të marrëveshjes për normalizim të plotë të marrëdhënieve dhe jo thjeshtë menaxhim të krizës për probleme eventuale. Në Bruksel kam qenë si kryeministër i Kosovës. Nuk kam qenë si prokuror, as si polic, as i gjykatës, as si shef i kadastrës”

Në përgjigjen e mësipërme, Kurti u duk se pranoi kritikën e Hillit se nuk kishte folur për tema specifike, por megjithatë ai pati një koment tjetër që duket se kundërshton të parin duke thënë se Serbia nuk kishte bërë propozime për kompromis.

“Deklarata se ka pasur propozime nga njëra palë dhe propozime për kompromis janë të pavërteta, ende kemi qenë të hapur mirëpo nga ndërtesa më herët ka dalur pala tjetër.” – u shpreh ai.

Të ngjashme