Hoti ambasadorëve të BE-së: Në dialog nuk e negociojmë territorin

Prishtinë | 18 Qer 2020 | 16:51 | Nga Ekonomia Online

Kreu i Qeverisë së Kosovës, Avdullah Hoti është takuar sot me ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, para të cilëve ka shpalosur platformën për Dialogun.

Në një njoftim për media nga zyra e kryeministrit thuhet se Hoti ka biseduar me ambasadorët e BE’së për pandeminë, duke i njoftuar edhe me masat e reja të cilat i ka marrë Qeveria.

“Me këtë rast, kryeministri Hoti i falënderoi ambasadorët e Bashkimit Evropian për mbështetjen që i kanë dhënë Kosovës vendet e BE-së për menaxhimin e pandemisë Covid 19, si dhe i njoftoi ata për masat që po i ndërmerr Qeveria e Kosovës në rimëkëmbjen ekonomike nga pasojat e shkaktuara si pasojë e kësaj pandemie”, thuhet në njoftim.

Tutje, në komunikatë thuhet se Hoti ka theksuar, derisa ka shpalosur platformën për dialog, se integriteti territorial i Kosovës është i panegociueshëm.

“Po ashtu, kryeministri Hoti shpalosi platformën  e Qeverisë së Kosovës për dialogun me Serbinë. Ai ritheksoi se parimet mbi të cilat do ta vendosim këtë proces janë integriteti territorial i Kosovës, që, siç tha ai, është i panegociueshëm, karakteri unitar i shtetit të Kosovës, ndërsa marrëveshja duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Kryeministri Hoti tha se Qeveria e Kosovës e ka strukturuar qasjen në këtë proces të dialogut duke e formalizuar mënyrën se si duhet të zhvillohet ai, por që objektiv kryesor në gjithë këtë proces është njohja reciproke në mes dy vendeve”, citohet të ketë thënë Hoti.

Të ngjashme