Hoti deklarohet pas takimit me Vuçiq: Kemi bërë progres, besojmë në partnerët ndërkombëtarë

Prishtinë | 16 Kor 2020 | 20:02 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti është deklaruar pas takimit që ka pasur sot me Presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiq në Bruksel.

Ai ka thënë për televizionin publik se në kuadër të rinisjes së dialogut, kanë arritur progres dhe se javën e ardhshme pritet detajizim i çështjeve.

”Kemi bërë progres edhe tek tema e zhvillimit ekonomik detajet tjera do t’i mësoni ditëve në vazhdim. Jemi duke diskutuar, ka progres presim javën e ardhshme të detajizojmë këto çështje. Këto janë biseda të nivelit politik, sepse jemi në fazën finale të përmbylljes së marrëveshjes finale duhet vullnet të të dy palëve dhe dedikim mbështetës”, tha ai.

Hoti ka thënë se janë të angazhuar që të arrihet marrëveshja me Serbinë.

“Mund të ketë biseda të natyrës teknike. Jemi plotësisht të angazhuar dhe besojmë tek partnerët tanë ndërkombëtarë për mbështetjen që na japin. Çështja me objektivë të qartë është njohja reciproke dhe normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë. Aq sa mund të them e di që ka komunikim të ngushtë mes palës së SHBA-së dhe BE-së”, pohoi ai.

Ndryshe, takim mes Hotit dhe Vuçiqit është zhvilluar në kuadër të dialogut që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Bashkimi Evropian ka paralajmëruar më herët se pas takimit do të ketë një prononcim të të dërguarit të Posaçëm të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak.

Ky është takimi i parë i drejtpërdrejtë i përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut të Brukselit, pas më se 20 muajsh.

Të ngjashme