Hoti: Do ta bëjmë një Qeveri teknokrate me njerëz që kryejnë punë

Has | 27 Maj 2017 | 23:24 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kandidati i LDK-së, Avdullah Hoti, e ka mbyllur ditën e tij të fushatës, me një tubim në Rogovë të Hasit, ku shoqërohej nga kryetari i partisë, Isa Mustafa, dhe krerët e partive partnere AKR dhe Alternativa.

Hoti, i cili nga kundërshtarët është cilësuar si teknokrat, duket se nuk e sheh kurrfarë problemi këtë epitet.

“Ju premtojmë se do ta bëjmë qeverinë më funksionale, më teknokrate të mundshme, me njerëz që kryejnë punë. E debatin politik do ta zhvendosim krejtësisht në Kuvend”, ka thënë Hoti, para banorëve të Rogovës, raporton Ekonomia Online.

Ai ka thënë se qeveria duhet të merret me hallet e qytetarëve dhe jo me “problemet personale” të politikanëve.

Hoti ka thënë se programi LDK-së është shumë i thjeshtë: zhvillim ekonomik, rend dhe ligj, luftë e pakompromis kundër korrupsionit dhe integrim në BE dhe në NATO. “Këto janë postulatet e LDK-së në 27 vjet, por që mbesin ende aktuale”.

Më tutje, Hoti ka thënë se prioritet duhet të jetë punësimi i të rinjve, dhe rritja e cilësisë në arsim. “Duhet të sigurohemi që të gjithë ata që e kryejnë arsimin e lartë të gjejnë një vend pune”, ka përsëritur miniostri në detyrë i Financave.

E shefi i tij në parti, Isa Mustafa, që ka folur i pari në këtë tubim, ka ftuar njerëzit që të dalin dhe të votojnë koalicionin LDK-AKR-Alternativa.

“Ne do të arrijmë fitore vetëm nëse organizohemi, dalim në zgjidhje dhe votojmë për LDK-në, AKR-në dhe Alternativën. Votojmë për këtë koalicion që është koalicion i shpresës dhe ardhmërisë”.

Më tutje, kryeministri aktual ka thënë se duhet ta bëjnë një qeveri që duhet të marrë vendime shumë të rëndësishme për vendin. “Mos të them vendime të mëdha si këta kundërshtarët tanë, por vendime të rëndësishme”.

E Behgjet Pacolli e ka quajtur koalicionin që AKR-ja ka lidhur me LDK-në dhe Alternativën, që udhëhiqet nga dikur bashkë-partiakja e tij, Mimoza Kusari, si koalicion të shpresës, koalicion të jetësimit të shpresës.

“Unë personalisht kam një ëndërr në të cilën besoj shumë, kjo ëndërr e ka një bukuri…ta drejtojmë Kosovën me dinjitet”, është shprehur Pacolli.

Mimoza Kusari-Lila, kryetare e Gjakovës, pasi ka bërë vërejtje për mungesën e femrave në këtë tubim ka premtuar përfshirje më të madhe të grave në qeverisjen e ardhshme.

Me këtë rast, ajo bëri dhe një premtim për rogovasit, për çka tha se e ka dëshmitar ministrin e Kulturës, Kujtim Shala. “Të hënën bëhet nënshkrimi për ndërtimin Shtëpisë së Kulturës në Rogovë”, tha Kusari-Lila.

Të ngjashme