Hoti: I dyfishuam subvencionet për bujqësinë, parashohim nxitje të prodhimit vendor

Prishtinë | 07 Shk 2021 | 14:05 | Nga Ekonomia Online

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryeministër, Avdullah Hoti, tha të dielën, se qeveria e LDK-së do të vazhdojë t’u qëndrojë afër bujqve nëpër Kosovë duke vazhduar subvencionim e tyre, ashtu siç ka ndodhur këtë vit, me vendimin për dyfishim të subvencioneve. 

Gjatë vizitës, në fabrikën për përpunimin e patates “Pestova” në Vushtrri, Hoti, shpalosi pjesë të programit të LDK-së për bujqësi.  

“Sot nga këtu e them hapur dhe qartë për të gjithë bujqit se ne do të marrim përsipër pagesën për ujitjen e tokave bujqësore në kuadër të subvencionimit të bujqësisë. Do t’i lirojmë bujqit nga pagesat për ujitjen e tokave bujqësore. Do të ofrojmë sigurimet bazë për kulturat bujqësore dhe do të punojmë me grumbulluesit e patates dhe grumbulluesit e kulturave tjera bujqësore, në mënyrë të çojmë subvencionimin kah prodhimi, jo vetëm për sipërfaqe, por kryesisht kah sasia që prodhohet. Besoj që kjo do t’i ndihmojë bujqit punëtorë që të marrin më shumë subvencione. Ne do t’i rrisim grantet gjithashtu, kemi maksimizuar transparencën sa i përket shpërndarjes së granteve”, tha Hoti.  

Kandidati i LDK-së, e përgëzoi pronarin e kompanisë “Pestova”, për rritjen e cilësisë së prodhimeve të patates, çka kanë mundësuar, që produktet e kësaj kompanie të depërtojnë në tregun e Evropës.  

“Besoj që me ndihmën e juaj bujqësia kosovare do të ngrihet në nivel krejt tjetër nga ajo që kemi parë deri tani. Do të heqim edhe akcizën për derivatet e naftës varësisht tokave që i punojnë bujqit”, tha Hoti.  

Të ngjashme