Hoti i kënaqur me sjelljen e ministrave të LDK’së kundrejt Kurtit

Prishtinë | 13 Maj 2020 | 18:25 | Nga Ekonomia Online

Ish-zëvendëskryeministri Avdullah Hoti thotë se ministrat e LDK’së në mbledhjen e sotme të Qeverisë dëshmuan kulturë, duke respektuar institucionet, por edhe duke mos lejuar cenimin e integritetit personal.

Në mbledhjen e 100-ditëshit të sotëm disa ministra të LDK’së i reaguan kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit, i cili në hapje të mbledhjes akuzoi LDK’në se po ia merr pushtetin, ndërsa i lavdoi pjesëtarët e kabinetit të tij, që vijnë nga kjo parti.

Hoti thotë se ministrat e LDK’së, disa prej të cilëve i reaguan, kanë treguar kulturë institucionale dhe kanë ruajtur integritetin e tyre.

Shkrimi i plotë i Hotit:

Ministrat nga LDK-ja, gjatë kësaj periudhe të qeverisë në detyrë, e kanë bërë punën në resorët e tyre në përputhje me obligimet ligjore që kanë pasur.

Sot, në Mbledhje të Qeverise në detyrë, ata treguan se LDK-ja ka tjetër kulturë të qeverisjes – që është respektimi i institucionit dhe i shtetit të Kosovës, por edhe moslejimi i cenimit të integritetit personal dhe institucional.

Në Qeverinë e re do të promovojmë kulturë institucionale sipas standardeve evropiane.

Me votimin e Qeverisë së re, do të marrë fund qeverisja arbitrare, e mbështetur nga struktura jashtë politike e militante, që ka vënë institucionet e shtetit në funksion të partisë, që e ka polarizuar shoqërinë dhe ka dëmtuar partneritetet ndërkombëtare.

Të ngjashme