Hoti i reagon Osmanit: Si mund të cenohet rendi kushtetues i Kosovës nga Zyra Ovale

Prishtinë | 17 Dhj 2021 | 12:32 | Nga Ekonomia Online

Ish-kryeministri Avdullah Hoti i ka reaguar presidentes së vendit, Vjosa Osmanit, për moratoriumin në Marrëveshjen e Washingtonit që kërkonte moslobimin për njohje të reja dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

Osmani në adresimin vjetor para deputetëve ka thënë se me këtë moratorium ishte cenuar rendi kushtetues. E, Hoti kundërshton se nga SHBA-ja mund të cenohet.

“Si mund të cenohet rendi kushtetues i Kosovës nga Zyra Ovale e Shtëpisë së Bardhë, e cila e mbron shtetësinë e Kosovës më shumë se disa politikanë dhe bartës institucionesh në Prishtinë?! Vetëm politikanë të llojit të caktuar, me orientime joperëndimore, mund të mendojnë dhe thonë gjëra të tilla”.

Në Facebook, Hoti ka shkruar se ekzistenca e shtetit të Kosovës rrezikohet kur cenohen raportet me SHBA-në. Ndërkaq, shtoi se një politikan i përgjegjshëm dhe properëndimor “punon me maturi dhe i ruan miqësitë”.

“Zoti i bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe na ruajt nga politikanët e papërgjegjshëm”.

Të ngjashme