Hoti: Isha i bindur se do të votohej qeveria, nuk jam i zemëruar me Osmanin që nuk udhëhoqi seancën

Prishtinë | 04 Qer 2020 | 20:32 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se ka qenë shumë komod dhe nuk ka pasur asnjë dyshim në votimin e qeverisë, duke qenë plotësisht i bindur se votimi i qeverisë do të kalojë.  

“Kam qenë plotësisht komod në votimin e qeverisë, nuk kam pasur asnjë dyshim në votimin e qeverisë”, është shprehur Hoti.

Tutje, ai komentoi edhe veprimin e kryeparlamentare Vjosa Osmani, e cila refuzoi të udhëheq seancën e Kuvendit në votimin e qeverisë.

“Besoj që i ka takuar, është dashtë, është obligim kushtetues ta udhëheq seancën. Mirëpo kjo nuk më ka zemëruar aspak sepse ka të drejtë t’ia kalojë edhe zëvendësve të vet udhëheqjen e seancës”, ka thënë Hoti në RTK.

Ai gjithashtu foli edhe për rastin e ish-kryeministrit, i cili nuk e priti Hotin në zyre që t’ia dorëzojë postin.

“Ish-kryeministri nuk ishte në zyrë. Unë mendoj se kjo nuk tregon aspak kulturë institucionale. Unë në të ardhmen do t’ia dorëzoj dikujt tjetër, duhet të pajtohemi me rotacionet e pushtetit”, shtoi Hoti.

Avdullah Hoti: Kryenegociatori do të jem unë, kështu e thotë Kushtetuta

Më tutje Avdullah Hoti, ka thënë se ai do të udhëheqë dialogun me Serbinë, pasi kështu e thotë Kushtetuta e Kosovës. Gjykata Kushtetuese bëri të ditur ne anë të një vendimi ën vitin 2019 se kryeministri është udhëheqës në arenën ndërkombëtare. E Hoti thotë se ka pasur kontakte me Emisarin e BE’së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak, menjëherë pasi u zgjodh kryeministër.

“E para unë menjëherë dje pas zgjedhjes kam pasur kontakt me Lajcakun. . Ai i ka të qarta orientimet tona sa i përket dialogut. Vumë kontaktet e para me të. Edhe me zotin Borrell dhe institucionet tjera”, ka thënë ai në RTK.  

‘’Sa i përket mënyrës se si do të bëhet dialogu është e qartë:  Kryenegociator do të jem unë. Kështu e thotë Kushtetuta. Nuk e vendosi unë por Kushtetuta”, thotë Hoti.

“Unë nuk do të bëjë gabimin duke zgjedhur mes SHBA’së dhe BE’së. Jemi me të dyjat”, tregon ai.

Të ngjashme