Hoti: BE-ja nuk do të ketë jetë të gjatë

Prishtinë | 29 Mar 2017 | 10:32 | Nga

Profesori i së Drejtës Ndërkombëtare Afrim Hoti në emisionin e mëngjesit në Radio Televizionin e Kosovës, duke folur rreth BREXIT-it tha se Bashkimi Evropian si projeksion i natyrshëm nuk do të ketë jetë edhe shumë jetë gjatë.

Sipas tij, ka rreziqe dhe sfida shumë serioze dhe në veçanti nga shtetet kryesore, (Franca dhe Gjermania). Ai tha se nëse edhe këto dy superfuqi do të largoheshin nga BE-ja, atëherë kjo do të shënonte shpërbërjen e Bashkimit Evropian.

Duke folur rreth BREXIT dhe shkëputjes nga Bashkimi Evropian, Hoti tha se nga sot do të kemi një BE më ndryshe. Sipas tij, Britania e Madhe në këtë rrugëtimin e përbashkët 43 vjeçar në BE ka pasur rëniet dhe ngritjet e saja që nga momenti i anëtarësimit.

Ai tha se largimi i Britanisë nga BE –ja nuk ka qenë ndonjë befasi dhe nëse shtete të caktuara dëshirojnë të largohen nga BREXIT-i nuk do të ishte ndonjë befasi. Sipas Hotit, shtetet e fuqishme në kuptimin politik dhe atë ekonomik nuk shohin shumë interesa të përbashkëta në kuptimin e bashkimit.

“BE si projeksion i natyrshëm nuk besoj se do të ketë jetë të gjatë, pasi që ka rreziqe dhe sfida shumë serioze dhe në veçanti nga shtetet kryesore, Franca dhe Gjermania. Nga zhvillimet e tyre të brendshme varët krejt e ardhmja e Bashkimit Evropian”, tha ai për RTK.

Sipas tij, Britania me largimin e saj nga BE –ja humb tregun e saj në rrafshin ekonomik, por që siç tha ai, britaniket si duket kanë vendosur që të kenë raporte speciale me BE-në në mënyrë që ta kompensojnë këtë treg ekonomik.

Profesori i së Drejtës Ndërkombëtare, tha ndërkaq se Britania do të fitojë në kuptimin e identitetit shtetëror me largimin e saj nga BE-ja, por edhe në rrafshin ekonomik, pasi që siç deklaroi ai, do të vazhdojnë të jetë në mes SHBA-ve me të cilën kanë aleancë të natyrshme dhe BE-së.

Në kuptimin ekonomik kjo do të shihet se si do të reflektojë, megjithatë tha Hoti, duke pasur parasysh pozicionin e tyre nuk do të humbin shumë. I pyetur se a po rrezikohet BE-ja në rrugën e nisur, ai nuk ka mundur të deklarohet në mënyrë decidive, por tha se kemi zvogëlim të tregut, pasi që nëse deri më sot kemi pasur 28 anëtarë, nga dita e sotme do t’i kemi 27.

“Pra po flasim për tkurrje të BE. Rruga e BE-së do të ecë edhe më tutje, por se cila do të jetë e ardhmja e saj ka shumë sfida dhe rreziqe”, tha ai. Hoti në RTK tha se ka shumë euro-skeptik që e promovojnë këtë idenë e largimit nga BE-ja sikurse në Gjermani, pasi që shtetit gjerman gjithmonë i bije barra kryesore si në rrafshin ekonomik, por edhe atë emigracionit, në Francë gjithashtu ka euro-skeptik, Holanda do të jetë një test për BE…etj.

Sipas tij, ecja më tutje e këtyre shteteve bashkë më BE-në do të varët shumë nga storia e suksesit apo mos- suksesit që do të kenë britanikët jashtë BE-së. Ai tha se nëse në të ardhmen do të largoheshin Gjermania dhe Franca, kjo do të shënonte fundin e BE-së.

“Nuk mund ta imagjinojë BE-në pa Gjermaninë dhe Francën”, tha ai.

I pyetur rreth integrimit të Kosovës në BE, ai tha se nuk ka shumë opsione dhe zgjedhje të alternativave. “Në këtë dritë ne jemi të pafuqishëm të jemi jashtë BE-së, sepse nuk kemi as ekonominë dhe s’jemi shtet i madh. Procesi i integrimit të Kosovës në BE duhet të ndiqet, bile ai duhet të sforcohet dhe përshpejtohet ,sepse kemi mbetur shumë mbrapa në këtë drejtim”, tha në fund Afrim Hoti profesor i së Drejtës Ndërkombëtare

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme