Hoti: Marrëveshja pritet nesër, edhe AKR-ja pjesë e Qeverisë

Prishtinë | 28 Pri 2020 | 17:00 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

I nominuari i LDK-së për kryeministër, Avdullah Hoti, ka thënë se nesër pritet të finalizohet marrëveshja e koalicionit mes LDK-së dhe katër partive të tjera AAK, Nisma, Lista Serbe dhe AKR.

Hoti konfirmoi se edhe AKR-ja, për të cilën ka pasur dilema, do të jetë pjesë e Qeverisë së re, raporton Ekonomia Online.

“Besoj që nesër do të përmbyllim marrëveshjen dhe do të dalim me përbërjen e qeverisë së re. Me disa prej partive të koalicionit jemi duke i finalizuar edhe emrat e ministrave, por edhe parimet e qeverisjes sepse kjo për mua është esenciale”, tha Hoti, për gazetarët, pas takimeve që ka zhvilluar me përfaqësuesit e këtyre partive.

Sipas tij, pjesëmarrja e Listës Serbe do të jetë në përputhje me normat kushtetuese.

“Besoj që janë marrëveshje që marrin parasysh peshën që ka secili prej partnerëve”.

Hoti tha se prioritet i tij si drejtues i Qeverisë do të jetë të përtërijë “miqësitë e lënduara” dhe për këtë tha se ka një ekip të shkëlqyer.

“Jemi të vetëdijshëm që do ta marrim qeverisjen në një situatë të vështirë dhe me nevojë të investojmë në ekonomi dhe jemi të përgatitur me një ekip që t’i përmbyllim të gjitha çështjet. Për mu është esenciale që ne të dakordohemi mbi bazën e letërkëmbimit të letrës se Mustafës me partitë”.

I pyetur nga gazetarët, Hoti tha se sapo të jenë gati do të dërgojnë shkresën te presidenti për t’i treguar se e kanë shumicën.

“Ajo është çështja e jona në relacion me Presidentin dhe sapo te jemi gati ne do ta dërgojmë shkresën tonë për marrëveshje te presidenti”, shtoi ai.

Kur u pyet se çka mendon për deklaratat e fundit të ish-shefit të tij, Albin Kurti, që tha se Hoti është një kryeministër i dobët që do t’i shërbejë presidentit, u përgjigj duke thënë se ai e di se çfarë zëvendëskryeministri ka qenë dhe se kjo i takon të kaluarës.

Në takimet që mandatari i LDK-së, Hoti, ka pasur sot gjatë ditës me përfaqësuesit e AAK-së, Nismës dhe Listës Serbe ka marrë pjesë dhe kryetari i partisë, Isa Mustafa.

Mustafa ka deklaruar se i kanë numrat për formimin e Qeverisë së re.

Të ngjashme