Hoti jep detaje nga komunat e përmbytura, bën thirrje që të evitohen lëvizjet nëpër rrugë

Prishtinë | 08 Jan 2021 | 17:51 | Nga Ekonomia Online

Kryeminstri në detyrë, Avdullah Hoti ka thënë se varësisht nga situata në terren pas reshjeve të shumta të shiut, mund të kërkohet angazhimi i FSK’së.

Hoti ka treguar edhe për gjendjen në komunat e prekura nga përmbytjet.

“Sipas të dhënave nga Qendrat Operative: Në Komunën e Drenasit – uji ka depërtuar nëpër oborre të shtëpive në Poklek, Krajkovë, Tërstenik, Shtrumbullovë, Komoran dhe në qendrën e qytetit. Në Komunën e Prizrenit – ka pasur përmbytje të disa bodrume të shtëpive në lagjen Arbana. Në Komunën e Malishevës – janë bllokuar disa rrugë afër QMF-së, është rritur niveli i lumit Mirushai dhe janë vërshuar rrugët që qojnë në fshatrat Bajë, Marali dhe Maxharrë. Ekipet reaguese janë në vend ngjarje. Në Komunën e Rahovecit – janë vërshuar disa rrugë poshtë qytetit dhe në fshatrat Gexhe dhe Kramovik. Në Komunën e Pejës – ka vështirësi në pikë kalimin kufitar “Kullë” dhe në aksin rrugor Pejë–Rugovë, ndërkaq rruga për në fshatin Kuqishtë ka vështirësi të mëdha kalimi. Në Komunën e Klinës – nga të reshurat e shiut ka filluar me shpejtësi rritja e nivelit të lumenjve, në disa fshatra kanë filluar të vërshohen tokat bujqësore, në fshatin Ozdrim janë rrezikuar dy familje nga depërtimi i ujit në shtëpi. Në Komunën e Gjakovës – ka pasur disa pengesa në rrugët e qytetit nga vërshimet. Në Komunën e Junikut – ka pasur bllokim rruge në tri lokacione në fshatin Gjocaj si pasojë e rrëshqitjes së dheut.Në regjionin e Pejës – janë raportuar një numër i madh i defekteve në rrjetin e energjisë elektrike”, ka shkruar Hoti.

Ai ka bërë thirrje që qytetarët të kufizojnë lëvizjet shkaku i vërshimeve.

“Ekipet janë duke intervenuar sipas nevojave dhe mundësive për intervenim. Ftohen qytetarët të kufizojnë lëvizjet në rrugë për shkak të vërshimeve që ka në disa akse rrugore, si dhe rrëshqitjeve të dheut dhe gurëve në disa lokacione”, ka thënë Hoti.

Të ngjashme