Hoti ka pritur në takim përfaqësuesit e Sindikatës së Pavarur të Minatorëve të Trepçës

Prishtinë | 05 Qer 2018 | 16:12 | Nga

Kryetari i Grupit Parlamentar të LDK-së,  Avdullah Hoti ka pritur sot në një takim përfaqësuesit e Sindikatës së Pavarur të Minatorëve të Trepçës.

Në këtë takim është diskutuar rreth statutit të Trepçës, i cili është miratuar javën e kaluar nga Qeveria e Kosovës dhe është përcjellë për aprovim në Kuvend të Kosovës.

Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës shprehën shqetësime serioze lidhur me këtë statut. Vërejtjet e tyre ishin në dy çështje: problemet sociale të punëtorëve dhe mos përfshirja e disa aseteve shumë të rëndësishme të Trepçës në këtë statut.

Ndërsa, kryetari Hoti i njoftoi sindikalistet se në seancën e sotme të Kuvendit, ka kërkuar nga Komisioni për Zhvillim Ekonomik që të ftojë në diskutim Bordin, Menaxhmentin dhe Sindikatën e Trepçës për të shqyrtuar këto vërejtje.

“Mos përfshirja e disa aseteve shumë të rëndësishme të Trepçës në këtë statut është shumë serioze, dhe është për t’u çuditur se si mundet dikush të gjejë lirinë që të lërë jashtë statutit të Trepçës asete të rëndësishme”, potencoi Hoti.

Kryetari Hoti premtoi se kjo çështje do të trajtohet me shumë kujdes nga Grupi Parlamentar i LDK-së dhe se do të merren parasysh të gjitha sugjerimet e palëve para se të vije Statuti në Kuvend.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme