Hoti: I kemi votat për rrëzimin e Qeverisë, po presim konsensus me të gjitha partitë

Prishtinë | 27 Pri 2018 | 12:06 | Nga Besjana Bajrami Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike (LDK) Avdullah Hoti tha se ekzistojnë votat për rrëzim të Qeverisë mirëpo po presin një konsensus të përbashkët politik, raporton Ekonomia Online.

“Mendoj që është konkluzion i të gjitha palëve që vendi udhëhiqet me një Qeveri që nuk është legjitime, me rregulla bazë do të duhej që vet kryeministri të sjell në Kuvend mocionin e mosbesimit. Ne kemi mundësi ta dërgojmë në Kuvend mocionin e mosbesimit dhe i kemi votat mirëpo po mundohemi që të arrijmë një dakordim të plotë me të gjitha partitë”, tha Hoti.

Hoti në konferencë javore të kësaj partie shtoi që tryeza e organizuar nga LDK me të gjitha partitë ka përmbushur qëllimet e saj dhe pas dy-tri tryezave do të dalin me rezultate pozitive në tema të caktuara.

“Tryeza që u mbajt gjatës kësaj jave nga LDK është hera e parë që partitë politike mblidhen vet në një debat konstruktiv të brendshëm. Qëllimi i kësaj konference është arritur plotësisht që së bashku me partitë ti adresojmë sfidat që na presin”.

“Qëndrimi i LDK-së  është i qartë që vendi është në krizë politike dhe institucionale dhe dalja nga kjo krizë mund të bëhet vetëm me vullnetin e përbashkët të të gjitha partive. Presim që pas dy-tri tryezave të dalin rezultate”, tha ai.

Ndërkaq platformën e dialogut me Serbinë  ai e cilësoi si platformën më të dobët që është prezantuar para Kuvendit, ndërsa për asociacionin tha se është obligim ndërkombëtarë që duhet realizohet.

“Ne kemi parë platformën që është aprovuar për dialogun me Serbinë dhe është ndër platformat më të dobëta që është prezantuar në Kuvendin e Kosovës. Duhet të jenë një dialog i strukturuar mirë. Lidhur me asociacionin është vendim ndërkombëtarë që është marre. Është obligim ndërkombëtarë i Kosovës që duhet te realizohet”, tha ai.

Hoti foli edhe për ditën e të pagjeturve.

“Duke qenë se sot është një ditë e shënuar më lejoni që në emër të LDK-së të shpreh mbështetjen dhe gatishmërinë që ti qëndrojmë afër familjeve të 1562 të pagjetur që ende nuk janë në vendin e tyre. Do të qëndrojmë palëkundur deri sa të zgjidhet kjo çështje dhe do të jetë në tavolinë të bisedimeve”, tha ai.

Të ngjashme