Hoti: Shtimja dhe krejt Kosova ka nevojë për frymëmarrje të lirë

Shtime | 06 Qer 2017 | 15:08 | Nga Albulena Avdiu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kandidati për kryeministër nga LDK-AKR-Alternativa, Avdullah Hoti, ka thënë të martën se Shtimja dhe gjithë qytetarët e Kosovës kanë nevojë për frymëmarrje të lirë, pa krim dhe korrupsion.

“Jam i bindur se ju, më shumë se çdo kosovar tjetër, më 11 qershor do të ngriheni për ta siguruar një fitore të thellë të Lidhjes Demokratike dhe aleatëve të saj, si në kohën e Ibrahim Rugovës. Kështu ju do të bëhen gati për të ndryshuar edhe qeverisjen e keqe lokale, këtë vjeshtë. Për ta arritur këtë, duhet ta votoni koalicionin tonë. Që të fitojmë bindshëm dhe t’i qesim në opozitë shkaktarët e së keqes në Kosovë”, ka thënë Hoti.

Ai ka deklaruar se vetëm fitorja e koalicionit tonë në këto zgjedhje mund ta realizojë këtë objektiv themelor të Kosovës.

“Këto zgjedhje janë referendum për të ardhmen e Kosovës. Më 11 qershor, jam i bindur se brezi i lirisë, pavarësisë dhe demokracisë, së bashku me Brezin e Republikës, do ta jetësojë amanetin e Ibrahim Rugovës, për t’ia besuar Kosovën dhe të ardhmen e popullit të saj, një lidershipi politik me duar të pastra, të dijshëm dhe vizionar”, ka deklaruar Hoti.

Ai ka thënë se ne jemi sot bashkë, me Aleancën Kosova e Re të Behgjet Pacollit dhe jemi plot besim që nuk do të ketë asgjë që do të na ndalë për ta çuar në vend amanetin e arkitektit të Kosovës së sotme.

Hoti ka deklaruar se “ne do ta çrrënjosim krimin e organizuar dhe korrupsionin sepse i kemi duart e pastra”.

“Ne do t’ua konfiskojmë pasurinë të gjithë atyre që nuk mund të dëshmojnë si e kanë krijuar atë, sepse pasuria që nuk dihet si është krijuar është e vjedhur prej popullit”, ka përfunduar Hoti.
Kryeministri dhe kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se qeveria e drejtuar nga Hoti, do t’u japë përparësi të rinjve dhe grave në aftësim profesional dhe punësim.

“Fëmijëve tanë do t’u ofrojmë arsimim cilësor, përmes një reforme rrënjësore që sistemin arsimor e lidh me kërkesat e ekonomisë së tregut të lirë. Ne kemi plan për kujdes ndaj Brezit të Pavarësisë, për t’u garantuar atyre jetë të dinjitetshme, sepse ne u jemi mirënjohës atyre për punën që kanë bërë për familjen tonë, Kosovën dhe për ruajtjen e kultivimin e ndjenjës së atdhedashurisë”, ka thënë Mustafa.

 

Të ngjashme