Hoti: Kjo Qeveri duhet të bjerë

Prishtinë | 17 Pri 2017 | 09:10 | Nga

Enver Hoti, deputet i “Nismës për Kosovën” në Kuvendin e Kosovës, në një intervistë për gazetën “Zëri” ka thënë se kjo Qeveri duhet të bjerë dhe vendi duhet të shkojë në zgjedhje.

Hoti tha se paritë që qeverisin tani duhet të shkojnë në pushim dhe se opozita aktuale do ta qeverisë vendin. Sipas tij, nuk do të vijë në konsideratë një koalicion i “Nismës” me partitë në pozitë në rast se shkohet në zgjedhje të parakohshme. Ai siguron se mocioni për rrëzim të Qeverisë do të futet në Kuvend brenda këtij muaji.

“Nisma për Kosovën” ka nisur një mocion mosbesimi ndaj qeverisë Mustafa. Ky mocion përveç përkrahjes së opozitës ka marrë një përkrahje edhe nga deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës.

Mocioni do ta marrë përkrahjen e duhur nga deputetët në mënyrë që të kalojë në Kuvendin e Kosovës. Kështu ka thënë deputeti i partisë “Nisma për Kosovën”, Enver Hoti, në një intervistë dhënë për gazetën “Zëri”. Sipas tij, kjo Qeveri duhet të bjerë dhe vendi duhet të shkojë në zgjedhje.

Zëri: Si është pritur iniciativa për mocion nga deputetët dhe në çfarë faze jeni tani?

Hoti: Propozim-iniciativa e “Nismës” që ka dërguar një mocion mosbesimi për Qeverinë është në fazën fillestare. Ne jemi duke bashkëpunuar me partitë opozitare, fillimisht ky bashkëpunim është rreth hartimit të një teksti, i cili do të jetë i nevojshëm dhe i domosdoshëm për të proceduar më tutje me mocionin. Ne jemi duke e përgatitur këtë tekst që do ta ketë mocioni. Mendoj që deputetët veçmas në bisedimet që i kemi dhe i kemi pasur deri më tani e kanë pritur mirë. Mendoj që shumica parlamentare janë të bindur se vendi është në një krizë të thellë politike dhe institucionale. Jam i bindur se më tej nuk mund të ecet kështu. Ka mungesë kuorumi, ka mosfunksionim të duhur të komisioneve parlamentare, udhëheqësit e institucioneve tani janë nëpër fushata, janë zhvendosur nga detyrat e tyre qoftë si kryetar Kuvendi dhe si kryeministër dhe kanë hyrë në agjendën e tyre partiake. Ngecjet e kësaj Qeverie janë shumë të mëdha dhe mënyra më e mirë dhe e vetme është që vendi të shkojë në zgjedhje.

Zëri: A ka interesim të deputetëve të pozitës që t’i bashkohen mocionit?

Hoti: Ka interesim, por ka edhe hezitim për mocionin, mendoj që java e ardhshme do ta shpalosë edhe më tutje qëndrimin e secilit. Ne vazhdojmë t’u bëjmë thirrje edhe deputetëve të mazhorancës, edhe të komuniteteve pakicë.

Zëri: A janë plotësuar pritjet tuaja për nënshkrimet. Sa nënshkrime i keni deri më tani?

Hoti: Ne jemi në vazhdën e grumbullimit, nuk dua të lëshohem në numra se sa i kemi sepse nga momenti në moment mund të ndryshojë gjendja e numrave, por mendoj që jemi në rrugën e duhur për të arritur procedurat e nevojshme për ta futur në rend dite. Por, jemi në bisedime edhe me deputetë të pozitës.

Zëri: Keni marrë përkrahje nga disa deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës, por a po shihet ndonjë interesim i deputeteve të Lidhjes Demokratike të Kosovës që t’i bashkohen mocionit.

Hoti: Është e vështirë që deputetët e LDK-së edhe pse kanë pakënaqësi dhe janë të pajtimit që nuk mund të shkohet…edhe pse janë të pajtimit, është tërësisht e gabuar. Ju e keni parë dhe ka që nuk e kanë votuar Qeverinë as presidentin. Shpreh një mirëkuptim për ta nëse nuk janë të gatshëm në fazën fillestare me mbështet mocionit qoftë përmes nënshkrimit apo një deklarimi të hapur, sepse kryeministri i vendit aktualisht është nga radhët e LDK-së, mirëpo vazhdimit i falënderoj dhe kam respekt për të gjithë ata që kanë pasur përgjegjësi për temat siç janë Asociacioni dhe Demarkacioni. Asnjëra nuk do të mund të ndalej pa mbështetjen e këtyre deputetëve, sidomos të një pjese të LDK-së dhe i falënderoj publikisht një pjesë të tyre.

Zëri: Ju mocionin e keni filluar duke pasur vetëm mbështetjen e opozitës, por a jeni duke mbajtur ndonjë takim me pozitën. A jeni në bisedime me këto parti për mocionin?

Hoti: Me subjektet politike si PDK-ja dhe LDK-ja nuk kemi bashkëpunim. Nuk dua që qëndrimet e disa deputetëve t’i komentoj si qëndrime të partisë. Por jemi të bindur që palët në Qeveri kanë një mosbesim mes vete. Nuk ka asnjë program qeverisës që i bashkon dhe kjo është një fatkeqësi e madhe. Këta nuk u besojnë as qëndrimeve dhe deklarimeve të veta e lëre më njëri-tjetrit.

Zëri: Kur pritet të futet në Kuvend mocioni?

Hoti: Mendoj që java e ardhshme do ta qartësojë më shumë mocionin. Shpresojmë që brenda këtij muaji të futet në Kuvend. Por ka shumë elementë dhe shumë faktorë që ndikojnë e që disa janë edhe ata përtej Kosovës.

Zëri: Në rast se mocioni përkrahet dhe kalon në Kuvend dhe kjo Qeveri bie, a do të hynit në koalicion me PDK-në ose me LDK-në në zgjedhjet e përgjithshme.

Hoti: Ne jemi të përgatitur për zgjedhje kurdo që mbahen. Dua të theksoj që ne jemi në një koalicion parazgjedhor me Aleancën. Ka disponim të qytetarëve për ta kundërshtuar PDK-në dhe LDK-në. Ato kanë humbje dhe refuzim nga qytetarët. Opozita aktuale do të jetë ajo që do ta drejtojë vendin. Ne jemi duke ardhur, ndërsa PDK-ja dhe LDK-ja janë duke shkuar. Këto parti janë në mjegull tani për tani. Spekulime të tilla që kemi një marrëveshje me PDK-në janë të pavërteta, ai është një burim që u konvenon partive në pushtet, PDK-së dhe LDK-së, por që fare s’ka të bëjë me realitetin. Ne nuk qëndrojmë në asnjë marrëveshje as të fshehur as të hapur me PDK-në dhe me LDK-në. Ne po punojmë që këto të dyja t’i dërgojmë në pushim. Këto qëndrime të cilat po hidhen në medie dhe në opinion janë të trajtuara dhe të hartuara në kuzhinat e PDK-së për të krijuar huti tek qytetarët. Absolutisht s’ka tjetër gjë.

Zëri: Pra po thoni që PDK-ja do ta dëshironte një koalicion me “Nismën”?

Hoti: PDK-ja dhe LDK-ja janë të pangopura për pushtet dhe ata nuk zgjedhin me kë do të jenë në pushtet. Ata nuk kanë parime për pushtet. Ne kemi parime. Ne në vitin 2014 kemi pasur ofertë nga PDK-ja për t’u futur në Qeveri dhe nuk jemi futur për shkak të parimeve. Ne do t’u qëndrojmë parimeve tona, marrëveshjes me të cilën do të lidhim kontratë të qeverisjes apo bashkëpunuese me cilëndo parti, por PDK-ja dhe LDK-ja nuk i kanë këto. Bashkëpunëtori i tyre i vetëm është pushteti.

Të ngjashme