Hoti: Koalicioni me VV-në i vështirë, kemi dallime të mëdha në program

Prishtinë | 06 Kor 2017 | 13:19 | Nga Albulena Avdiu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kandidati për kryeministër nga koalicioni LDK-AKR-Alternativa, Avdullah Hoti në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se janë të vendosur që në as një formë të mos hyjnë në koalicion me PDK-në.

“Qëndrimi jonë si LDK dhe si koalicion jemi të vendosur që të mos hyjmë në asnjë formë në qeverisje me Partinë Demokratike të Kosovës, pra përjashtojmë ata, me të tjerat do të bisedojmë sapo të vij momenti, pra nuk kemi vija të kuqe për të tjerët, realisht vija të kuqë është program i LDK-së, ne jemi parti e qendrës së djathtë, jemi anëtar të Partive Popullore Evropiane, qasja jonë e qeverisjes është e ditur për të gjithë”, sqaroi Hoti.

Sipas tij, kushdo që është i gatshëm ti pranoj pikat e programit të LDK-së mund të bisedojnë për formatin e qeverisjes në të ardhmen.

“Si parti e qendrës së djathtë ne tentojmë të promovojmë zhvillimin ekonomik përmes sektorit privat, të vendosim rend dhe ligj, të sigurojmë që ashtu si kemi punuar gjatë këtyre dy viteve e gjysmë që qeveria e ardhshme të ketë një qasje pro evropiane, ta ruajmë frymën që kanë qytetarët e vendit për integrimet euroatlantike, këto janë parimet e programit tonë si LDK me të cilat ne nuk kemi fleksibilitet në ndryshimin ose në arritjen e kompromiseve këto. Kushdo që është i gatshëm ti pranoj këto pika të programit tonë ne mund të ulemi dhe të bisedojmë dhe të shohim formatin e qeverisjes në të ardhmen”, tha ai.

Sa i përket kërkesë së Lëvizjes Vetëvendosje për koalicion pas zgjedhor Hoti thotë se me këtë parti kanë dallime të mëdha sa i përket programi, por nëse këto dy parti arrijë të dakordohen për programin do të bisedohet për postin e kryeministrit.

Krejt kjo do të ndodh sipas Hotit pasi që koalicioni PAN do të dështojë ta formojë qeverinë, raporton EkonomiaOnline.

“Puna e parë është që duhet të arrijmë me VV-në është që të përafrojmë programin, pastaj të shohim se kush do të jetë kryeministri i ardhshëm. Kemi diferenca bukur të mëdha me Vetëvendosjen në veçanti, prej temës së parë të zëmë tek zhvillimi ekonomik ata janë parti e majtë që tentojnë të rrisin rëndësinë e sektorit publik në ekonomi, ne dëshirojmë të zvogëlojmë rëndësinë e sektorit publik në ekonomi, ata kanë në programin e tyre vendosjen e taksave progresive, pra rritjen e taksave, ne si parti e qendrës së djathtë tentojmë t’i mbajmë taksat kështu si janë dhe t’i zvogëlojmë me kalimin e kohës ta rrisim bazën e taksave dhe t’i ulim taksat për qytetarë dhe biznese”, ka thënë Hoti.

“Tek integrimet evropiane kemi bukur shumë dallime, tek rendi dhe ligjet, tek sundimi i drejtësisë, qasja që kanë ata për nxjerrjen e ligjeve që sigurojnë një rend dhe ligj më adekuat, kemi bukur ndryshime dhe diferenca në qasje në zgjidhjen e këtyre problemeve”, ka thënë Hoti kur u pyet nëse LDK-ja në një koalicion të mundshëm me VV-në do ta përkrah Kurtin për kryeministër, raporton EO.

Hoti u shprehur se nuk janë të interesuar që të jenë në krye të qeverisë me çdo kusht. Ai ka thënë se nëse shkojnë në opozitë do jenë konstruktive pasi sipas tij, janë partia e vetme e cila respekton Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.

Sa i përket rezultateve të zgjedhjet të parakohshme Hoti tha se LDK-ja nuk ka shënuar rënie, sepse ka marrë vota sa edhe në vitin 2014.

“Realisht ne jemi duke i bërë analizat brenda Lidhjes Demokratike për rezultatin që kemi arritur në të gjitha komunat dhe tek pas këtyre rezultateve dhe pas hulumtimeve që ne i bëjmë në terren vazhdimisht për të parë arsyet e rezultatit që kemi arritur dhe tek atëherë mund të dalim me deklarim konkret se çfarë ka ndodhur realisht me mbështetjen e qytetarëve, por marrë në përgjithësi ne kemi pak a shumë votat që kemi pasur në vitin 2014”, tha ai.

Hoti foli edhe për qeverinë e udhëhequr nga partia e tij, duke e cilësuar atë si qeveri të pastër e model për të tjerët.

“Unë besoj se gjatë këtyre viteve dy e gjysmë sa kanë qenë ne i kemi ofruar vendit një qeveri model e cila ka marrë vlerësime ndërkombëtare për kredibilitetin e qeverisjes, një qeveri me duar të pastra, një qeveri që nuk ka pasur asnjë aferë gjatë dy viteve e gjysmë, një qeveri që ka prodhuar rezultate edhe në zhvillimin ekonomik, edhe tek rendi e ligji në veçanti, tek procesi i avancimit të integrimeve evropiane me nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit, dhe tani para dy ditësh parlamenti evropian e hapë qasjen e Kosovës në fondet e BE-së. Këto janë rezultate të qeverisë për të cilat unë ndihem krenar siç do ministër që ka shërbyer në këtë qeveri. Tash është vullnet i qytetarëve se si i japin ata votën e tyre dhe mbështetjen që e japin ata për secilën prej partive apo koalicioneve që kanë marrë pjesë në zgjedhje, tha Hoti.

Ai ka thënë se për shkak të zgjedhjeve të jashtëzakonshme Kosova ka mbetur e peng i procese të shumta.

  

Të ngjashme