Hoti kritikon qeverinë: PAN po ju thotë qytetarëve konsumoni duhan vendor se është më pak i dëmshëm

Prishtinë | 27 Shk 2019 | 09:24 | Nga Ekonomia Online

Avdullah Hoti nga LDK-ja, ka kritikuar qeverinë lidhur me politikat karshi akcizave për duhanin që prodhohet në Kosovë.

Sipas Hotit qeveria PAN përmes vendimit për uljen e akcizës në duhanin që prodhohet në Kosovë, “praktikisht po ju thotë qytetarëve konsumoni duhan vendor se është më pak i dëmshëm”.

Ai përmes një shkrimi në Facebook theksoi se qëllimi primar i vendosjes së akcizave do të duhej të ishte dekurajimi i konsumit të mallrave që dëmtojnë shëndetin, jo mbledhja e të hyrave për buxhetin e shtetit.

“Kjo qeveri ka deficitit të njohurive bazike për zhvillimin e ekonomisë. Kur kjo kombinohet me motivin e mbrapshtë për të përdorur pozitën publike për nevoja personale, atëherë pasojat janë fatale për pjesën më të madhe të shoqërisë.

Qeveria e PAN-it e ka marrë edhe një “vendim të madh”, duke ulur akcizën në duhanin që prodhohet në Kosovë në vetëm 30% të çmimit të tregut, me arsyetim për të mbështetur prodhuesit vendor. Siç është raportuar në medie, në Kosovë ekziston vetëm një kompani prodhuese e duhanit, që është në bashkëpronësi të këshilltarit të Kryeministrit dhe një drejtori komunal nga partia e z.Ahmeti.

Për sqarim, qëllimi primar i akcizës nuk është mbledhja e të hyrave për buxhetin e shtetit, por dekurajimi i konsumit të mallrave që dëmtojnë shëndetin. Prandaj, Qeveria Mustafa dy herë radhazi e ka rritur akcizën në duhan për të dekurajuar konsumin, me qëllim të mbrojtjes së shëndetit, si dhe për të barazuar akcizën në Kosovë me vendet e rajonit.

Me këtë vendim, Qeveria e PAN-it praktikisht po ju thotë qytetarëve konsumoni duhan vendor se është më pak i dëmshëm.

Po të ishte qëllimi për të mbështetur prodhimin vendor, atëherë do të duhej të subvencionoheshin bujqit që prodhojnë duhanin. Bujqit do të rrisnin kultivimin e duhanit, duke ju mundësuar përpunuesve të duhanit të siguronin më lirë lëndën e parë dhe të dilnin në treg me çmime më të lira për duhanin e përpunuar”.

Të ngjashme