Hoti: Kurti e shndërroi Kosovën në Kore të Veriut

Prishtinë | 15 Jan 2021 | 15:32 | Nga Ekonomia Online

Kandidati për kryeministër nga Lidhja Demokratike e Kosovës  (LDK), Avdullah Hoti, tha të premten, gjatë takimi me strukturat e partisë në Podujeve, se qeveria Kurti e kishte dërguar vendin buzë shkatërrimit duke e shndërruan Kosovën në Kore të Veriut, me sanksione të ashpra ndërkombëtare.  

 “ Është momenti me e ditë qytetarët që qeveria paraprake e ka izolu vendin dhe ka qenë duke e dërguar vendin në shkatërrim total duke e kthy Kosovën në Kore të Veriut, duke i prishë marrëdhëniet edhe me Tiranën diçka që askush se ka paramenduar. Kjo ka qenë arsyeja pse ne është dashtë të marrim vendimin me u tërheq prej qeverisë paraprake. Falë qeverisjes tonë shumë prej këtyre dëmeve janë sanuar dhe Kosova është kthyer në kursin perëndimor”, tha Hoti.  

Ai foli edhe për zyrtarizmin e bashkëpunimit të djeshëm ndërmjet Vjosa Osmanit dhe Albin Kurtit.  

“Ajo që ndodhi dje e ka vërtetuar atë shprehjen e kamotshme popullore që secili e merr atë që e meriton. Në fund sillesh e pështillesh edhe e merr atë që meriton. Me atë marrëveshje që dje e kanë arritë e kanë marrë atë që ë meritojnë, të dytë së bashku në pako. Besoj që Podujeva dhe Llapi duhet me u ba gati që të dyve bashkë, me ua tregu vendin”, tha kandidati i LDK-së për kryeministër.  

Sipas tij në këto zgjedhje LDK nuk ka vetëm kundërshtar politik por ka kundërshtar të shtetit të Kosovës që synim kanë rrënimin e demokracisë.  

“E kemi pa ditë me parë se çka ndodhi në Uashington dhe kjo është me rëndësi me e kuptu se ne duhet të angazhohemi për të ruajtur demokracinë sepse demokracia rrezikohet në çdo vend e edhe në SHBA. E këta kundërshtarët tanë që i kemi përballë në këto zgjedhje janë duke e rreziku demokracinë tonë. Por LDK do të mobilizohet dhe do t’u dalë përballë përpjekjeve të tilla”, tha Hoti.  

Ai kërkoi mobilizim të llapjanëve për zgjedhjet e 14 shkurtit, në mënyrë që LDK të arrijë të ndalë shkatërrimin e Kosovës. 

Të ngjashme