Hoti: Me vendimin e Qeverisë për coronavirus evituam rrezikun për 500 mijë persona

Prishtinë | 11 Mar 2020 | 21:36 | Nga Ekonomia Online

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se Qeveria i mori masat e nevojshme shtese parandaluese lidhur me coronavirusin (COVID-19), përfshire mbylljen e shkollave.

Hoti ka deklaruar se me vendimin e sotëm kanë evituar rrezikun për 500 mijë persona (fëmijë, nxënës e studentë) që të ekspozohen ndaj rrezikut të marrjes dhe shpërndarjes së virusit.

“Nuk ka nevoje për panik pasi nuk ka asnjë rast te identifikuar, por masat e kujdesit duhet zbatuar strikt”, ka shkruar Hoti në Facebook.

Masat e reja të Qeverisë së Kosovës lidhur me COVID-19

1. Ndërprerja e procesit edukativo arsimor në institucionet arsimore publike dhe private në të gjitha nivelet deri 27 mars 2020. Me rekomandim që të lirohet njëri prind nga puna (kjo masë nuk vlen për punëtorët shëndetësor dhe për punëtorët në sektorin e sigurisë);

2. Pezullimi i përkohshëm i linjave të udhëtimit ajror dhe tokësor nga vendet me risk të lartë dhe të mesëm (deri në një një vendim tjetër);

3. Kontroll i obliguar i udhëtarëve nga ekipet mjekësore të QKMF-ve në të gjitha hyrje daljet e Kosovës me mbështetjen e Policisë së Kosovës të të gjithë qytetarëve që vijnë nga zonat epidemike, për detektimin e rasteve me COVID-19 dhe ndërmarrjen e masave parandaluese;

4. Vetëkarantinim i detyruar për të gjithë qytetarët që hyjnë në Republikën e Kosovës nga zonat epidemike me rrezik të lartë dhe të mesëm, në përputhje me udhëzimet e OBSH-së (moszbatimi i dënueshëm sipas Ligjit për Parandalimin e Sëmundjeve Ngjitëse). Në rast se personat e caktuar nuk mund të vetëkarantinohen rekomandohen të vendosen në karantinat e përbashkëta të caktuara nga Qeveria e Republikës së Kosovës;

5. Aktivitetet publike dhe jo-publike mund të zhvillohen të mbyllura/pa praninë e publikut si: ngjarje/tubime sportive, tubime, koncerte, konferenca, tryeza të rrumbullakëta deri në një vendim tjetër;

6. Të ndalohet veprimtaria e restoranteve, klubeve të natës, palestrave, pishinave pas orës 23:00;

7. Të ndalohet eksporti i pajisjeve, materialeve dhe medikamenteve mjekësore nga ana e operatorëve ekonomik dhe prodhuesve, përveç me Vendim të Qeverisë;

8. Të gjitha institucionet qeveritare, si dhe ndërmarrjet publike dhe private detyrohen të ndërmarrin masa për mbrojtje dhe dezinfektim në të gjitha institucionet sipas udhëzimeve nga Ministria e Shëndetësisë, të cilat kanë të bëjnë me masat e përforcuara higjienike.

9. Të gjitha ndërmarrjet publike dhe kompanitë private që kryejnë transport publik të udhëtarëve, obligohen të bëjnë dezinfektim të rregullt të mjeteve transportuese.

10. Të ndalohet transporti i organizuar ndërkombëtar (autobus, minibus dhe të ngjashme) drejt vendeve me rrezik të lartë dhe anasjelltas;

11. Personat fizik dhe juridik të cilët nuk i respektojnë dhe i shkelin rekomandimet do të ndëshkohen në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Varësisht nga zhvillimet e situatës Vendimet mund të plotësohen dhe ndryshohen në kohë reale dhe do të njoftohen qytetarët e Republikës së Kosovës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme