Hoti: Ndihma e Qeverisë nuk përfshin mijëra të papunë dhe ata që merren me bujqësi

Prishtinë | 12 Pri 2022 | 12:40 | Nga Ekonomia Online

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se vendimi i sotëm i Qeverisës së Kosovës për ndarjen e shumës prej 100 eurosh për disa kategori, reflekton varfërinë e politikave fiskale dhe sociale të Qeverisë për të mbrojtur standardin e jetës së familjeve.

Ish-kryeministri përmes një postimi në Facebook, ka thënë se kjo ndihmë e njëhershme prej 100 euro, sado e dobishme, nuk e zgjidh problemin e rritjes së çmimeve. Për më tepër, sipas tij, kjo ndihmë nuk përfshinë mijëra të papunë dhe ata që merren me bujqësi.

Hoti ka thënë se duhet ndërmarrë masa afatgjate, të cilat LDK-ja i propozuar kur filloi të shfaqet kriza, e ato janë:

(i) Nuk është dashur të rritet çmimi i energjisë.

(ii) Duhet të indeksohen përfitimet pensionale dhe sociale për normën e inflacionit të çmimeve të produkteve ushqimore bazike.

(iii) Duhet të rriten subvencionet në bujqësi.

(iv) Duhet të rritet paga minimale

(v) Duhet konsideruar tërheqjen e një shume të kursimeve pensionale.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njoftoi të martën se për muajin prill, pensionistëve, punëtorëve dhe studentëve do t’iu ndahen nga 100 euro.

Sipas tij, vlera totale për këtë ndihmë do të jetë rreth 100 milionë euro.

Të ngjashme