Hoti: Në krye të Qeverisë është personi, partia e të cilit ia ka futur flakën Kuvendit

Prishtinë | 10 Sht 2017 | 13:08 | Nga

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, në fjalën e tij gjate seancës së jashtëzakonshme ka thënë se është i pafalshëm rikthimi i ndikimit të Beogradit në Kosovë, nëpërmjet qeverisë së re.

Sipas tij, vendi po hyn në krizë të thellë pas ndërtimit të Qeverisë së re përmes kontrabandimit të deputetëve e me miratim të Beogradit.

“Po kthehet ndikimi i plotë i Beogradit në Kosovë. Kjo është e pafalshme që të kthehet ndikimi i Beogradit, kur Kosova ka ende 1600 të pagjetur”, ka thënë Hoti.

Ai ka deklaruar se Qeveria e re ka në krye një person e cila ia vënë flakën Kuvendit dhe ka sjellë dhunë.

“Në krye të Qeverisë është personi, partia e të cilit ia ka futur flakën Kuvendit të Kosovës”, ka shtuar Hoti.

Ai ka përmendur dhe vrasjet e pasluftës, për të cilat tha se duhet të japë përgjigje kjo Qeveri.

Veseli ia ndal fjalën Avdullah Hotit

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli duket se ka marrë vendim që të mos e lejojë asnjë deputet që të flasë më shumë se dhjetë minuta në foltore.

Ka qenë shefi i Grupit Parlamentar i LDK-së, Avdullah Hoti që ka shpenzuar 10 minuta dhe se më tej nuk iu është lejuar që të vazhdojë, me gjithë insistimit të tij, njofton Klan Kosova.

Veseli gjatë këtij debati me Hotin, iu ka drejtuar atij duke i thënë se këtë çështje mund ta dërgojnë edhe në Gjykatën Kushtetuese.

Fjalimi i plotë i kryetarit të Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, në Debatin Parlamentar lidhur me “Parimet Programore te Qeverise se Republikës së Kosovës 2017-2021” të prezantuara në seancën e sotme:

Të nderuar deputetë,
Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,
Kosova po hynë në një fazë të errët dhe të paqartë të rrugëtimit për konsolidimin e shtetësisë.
Pas dy muaj vonesë, janë themeluar institucionet e vendit përmes tri metodave, secila më e dëmshme dhe më e turpshme se tjetra për popullin liridashës të Kosovës:
• Metoda e parë për formimin e shumicës parlamentare u siguruar përmes kontrabandimit të votave të deputetëve,
• Metoda e dytë përmes pazareve të ulëta politike për ndarje të posteve pa asnjë interes shtetëror apo orientim qeverisës,
• dhe më tragjikja nga të gjitha, Qeveria u votua pas dakordimit me Beogradit.
Të nderuar kolegë deputetë,
Nga sot, vendi po hynë në krizë të përgjithshme.
U tejkalua kriza e themelimit të institucioneve me koston e një krize të përgjithshme të degradimit institucional të Kosovës.
Kjo është fatkeqësi për vendin dhe për këtë koalicion.
Para se gjithash, kjo është fatkeqësi për qytetarët liridashës të Kosovës.
Është e pafalshme që 18 vjet pas lufte, pas arritjes së shumë njohjeve të shtetit të Kosovës, nënshkrimit të MSA-së, thellimit të partneritetit me NATO, të kthehet ndikim i plotë i Beogradit në vendimmarrje të institucioneve të Kosovës.
Është e pafalshme që të kthehet ndikimi i plotë i Beogradit në Qeverinë e Kosovës kur ende kemi 1,600 të pagjetur nga lufta e vitit 1998-99.
Qytetarët e Kosovës nuk do të falin këta njerëz që shiten si çlirimtarë e thirren në heroizma, ndërkohë që arrijnë pazare të tilla me Beogradin.

Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,
Kjo është ditë fatkeqe për vendin tonë të shtrenjtë.
Në krye të Qeverisë është vendosur personi, partia e të cilit ia ka futur flakën Kuvendit të Kosovës me gaz lotsjellës dhe dhunë.
Por edhe këta e kanë të qartë se ky është episodi i fundit i qeverisjes të kësaj klase politike fatale për të ardhmen e gjeneratave të reja.
Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,
Disa nga këta që sot janë bërë pjesë e koalicionit dhe Qeverisë, kanë qenë pjesë e përpjekjet për çlirim nga okupimi dhe dhuna serbe.
Por, të gjithë këta persona tani janë bërë pjesë e historisë së turpshme dhe fatkeqe të Kosovës në ndërtimin e institucioneve përmes dakordimit me Beogradin.
Vrasjet pas luftës, uzurpimet e pronave publike, aferat korruptive dhe shumë veprime të tjera jo ligjore, rëndojnë si barrë mbi shtetin e Kosovës në rrugëtimin e Kosovës drejt Bashkimit Evropian.
Akterët e kësaj Qeverie dhe të këtij koalicioni duhe të japin përgjigje për këto.
Qeveria Mustafa është Qeveria e vetme që ka mbyllur mundësitë për korrupsion.
Kjo i bëri të gjithë këta bashkë për rrëzimin e Qeverisë Mustafa.
Puna në luftimin e korrupcioni nuk është kryer plotësisht, për shkak të organeve të drejtësisë që janë të kapura ende.
Megjithatë, Bashkimi Evropian e ka pranuar këtë si kriter të plotësuar, në listë e kritereve për liberalizim të vizave, duke i vlerësuar përpjekjet e Kryeministrit Mustafa në këtë drejtim.
Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,
Lidhja Demokratike bashkë me qytetarët e Kosovës, nuk do ta lejojnë këtë Qeveri të kthejë vendin prapa.
Nga sot, ne, Lidhja Demokratike e Kosovës, bashkë me qytetarët liridashës të Kosovës, nisim luftën tonë demokratike për rrëzimin e kësaj qeveri dhe organizimin e zgjedhjeve të reja.
Ne ftojmë të gjitha forcat progresive në Kosovës të ndalim sa më parë këtë fatkeqësi që po i ndodh vendit.
Shumica shqiptare në Kuvendin e Kosovës prej 58 deputetëve nuk do të lejojë që progresi i Kosovës drejt konsolidimit të shtetësisë, të varet nga një forcë politike brenda këtij koalicioni që çdo ditë punon kundër vetë ekzistencës të shtetit të Kosovës.
Do të përballeni me opozitë që nuk e keni parë më herët.

Të nderuar deputetë,
Marrëveshja e partive të këtij koalicioni bie ndesh me Kushtetutën e vendit.
Kushtetuta përcakton se ministrat e Qeverisë së Kosovës emërohen dhe shkarkohen vetëm nga Kryeminsitri, e jo nga shefat e partive të këtij koalicioni siç parashihet në këtë marrëveshje
Bazuar në këtë marrëveshje, kjo Qeveri do të ketë pesë kryeminsitra.
Marrëveshja e koaliconit nuk është mbi baza të programit qeverisës, por mbi baza të ndarjes dhe balancimit të interesave të grupimeve politike të këtij koalicioni.
Prandaj ky koalicion nuk mund të quhet koalicion qeverisës, por koalicion biznesor.
Z.Haradinaj duhet të përgjigjet se:
– çfarë përfaqëson Dardan Gashi në këtë koalicion, duke e ditur historinë e tij,
– tash këtij personi i është caktuar Ministria e Diasporës dhe është shtuar edhe resori i investimeve strategjike.
– Kjo ndoshta është e kuptueshme, pasi ky person ka qenë dhe mbetet në shërbim të realizimit të interesave strategjike të protagonistëve të këtij grupimi biznesor qeverisës,
– duke pasur MZHE, MTI, MASHT,
– çfarë do të bëjë Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë me Besim Beqajn,
– duke ditur historinë e këtij personi në privatizimin e distribucionit, rastin e AXOS-it lidhur me privatizimin e PTK-së, afera Pronto e tij me kryeprotagonistin e Prontos Adem Grabovci,
– Në këtë qeveri është themeluar edhe Ministria e Zhvillimit Rajonal.
– Ta kenë të qartë qytetarët e Kosovës se ky është hap i parë drejt ndarjes rajonale të Kosovës, ashtu siç ka dashur Beogradi.

Z.Haradinaj duhet të përgjigjet se çfarë ju ka premtuar Listës Serbe dhe Vuçiçit në këmbim të votave.
– Si janë dakorduar lidhur me Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, ku sipas informatave asociacioni mund të themelohet sipas marrëveshjes, e jo sipas opinionit të Gjykatës Kushtetuese.
– Çfarë premtimi ju ka dhënë atyre për komunën e Prilluzhës dhe Gorës,
– Cili ka qenë roli i Radojiqit në arritjen e këtij koalicioni.
Prandaj, themelimi i kësaj Qeveri i mbulon me turp të gjithë akterët e saj.
Ky veprim i turpëron mijëra veteranë të luftës, invalidët e luftës, dëshmorët dhe qytetarët liridashës të vendit.
Këto marrëveshje biznesore për të qeverisur janë arritur me ndërhyrjen jo kushtetuese të Presidentit të vendit.
Ai i ka arritur këto marrëveshje në Bruksel me Vuqiqin.
Ky është dialogu që ka bërë Presidenti në Bruksel.

Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,
Z.Haradinaj mbrëmë kërkoi të votohet mbi bazën e një dokumenti 10 faqësh pa asnjë përmbajtje, pa asnjë veprim konkret që Qeveria duhet të ndërmarrë.
Ai nuk e ka as idenë se çfarë do të punojë në ditët dhe muajt në vijim.
Kjo është e natyrshme, pasi ai i prin një koalicioni që është konglomerat:
– së pari i grupeve të interesit të etur tmerrësisht për pushtet për një kohë të gjatë,
– Dhe së dyti dhe më tragjikja, i listës serbe, që është zgjatim i partisë së Vuqiqit në Kosovës, me qëllim kryesor pengimin e konsolidimit dhe funksionimit të shtetit të pavarur të Kosovës.
Kjo është e natyrshme, sepse ky person mision të jetës së tij e ka të bëhet Kryeministër. Vetëm kaq. Përtej saj, për të nuk është e rëndësishme.
Në dokumentin 10 faqësh me të cilin pretendon të zgjidhet kryeministër, ai nuk ka dhënë përgjigje se si do të:
– mbajë zhvillimin ekonomik mbi 4% që është arritur në këtë mandat,
– çfarë do t’ju ofrojë investitorëve të huaj e vendorë për t’i bindur ata të rrisin investimet në Kosovë,
– si do të rrisë buxhetin e Kosovës përtej 2 miliard euro që është arritur në këtë mandat,
– çfarë do të bëjë me veteranët dhe invalidët e luftës, duke e ditur se tash prokuroria e shtetit po heton rastet e mashtrimeve me certifikata të veteranëve,
– si do të mbajë relacionet e partneritetit me Fondin Monetar Ndërkombëtar,
– si do të luftojë korrupsionin në radhët e veta,
– cilat janë reformat që do të ndërmarrë për të siguruar zbatimin e plotë të MSA-së, si hap i parë drejt integrimit evropian.

Para se gjithash, ai nuk ka dhënë përgjigje se:
– si do ta themelojë ushtrinë, duke ditur se Beogradin e ka bërë pjesë esenciale të vendimmarrjes së Qeverisë,
– Si do të udhëheqë dialogun me Serbinë dhe si do ta përmbyllë këtë dialog,
– Si do të adresojë demarkacionin me Malin e Zi.
Të nderuar qytetarë,
Ne, Lidhja Demokratike e Kosovës, do të jemi gardianë të ruajtjes së Republikës së Kosovës dhe të progresit që kemi bërë deri më tani nga degradimi që po nis nga dita e sotme.
Ne, Lidhja Demokratike e Kosovës, para 27 viteve e kemi nisur rrugëtimin e Kosovës për liri e pavarësi, për shtet demokratik dhe të integruar në Bashkimin Evrpoian dhe në NATO.

Ne, Lidhja Demokratike e Kosovës, do ta përmbyllim këtë proces, jo kjo Qeveri fatkeqe që u themeluar me dakordim të Beogradit.
Para nesh, në muajt në vijim, detyrë parësore është të sigurohemi se këta njerëz të etur për pushtet, nuk mund të jetësojnë pazaret e arritura me Beogradin.
Detyrë parësore e jona është që sa më parë të përmbysin këtë Qeveri fatkeqe dhe të turpshme për qytetarët liridashës të Kosovës.
Nuk kanë dhënë jetën 13 mijë qytetarë të Kosovës në luftën e fundit, bashkë me mijëra të vrarë e të keqtrajtuar në burgjet serbe për 50 vite të regjimit serb në Kosovë, që sot të kemi një Qeveri sipas diktatit të Beogradit.
Ne, Lidhja Demokratike e Kosovës, me mbështetje të qytetarëve liridashës, përmes formave demokratike, nuk do të lejojmë këtë.
Unë ftoj të gjithë qytetarët e vendit të na mbështesin në këto përpjekje.
Unë ftoj të gjitha forcat politike që janë për shtetin e pavarur të Kosovës të na bashkohen në këto përpjekje.
Na priftë e mbara në këtë mision të shenjtë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme