Hoti: Në zgjedhjet e 14 shkurtit votohet në kuti të votimit, e jo në Facebook

Prishtinë | 15 Jan 2021 | 18:05 | Nga Ekonomia Online

Kandidati për kryeministër nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, i hodhi poshtë të gjitha pretendimet se LDK nuk qëndron mirë për zgjedhjet e 14 shkurtit.

“Është kriju perceptim në opinion se gjoja LDK nuk i ka punët mirë. Mesazhin që jam tu e marr edhe sonte këtu edhe nëpër degët tjera ku jam tash e një javë nëpër vizita, është i qartë, po na thonë këtu jemi. Njerëzit nuk votojnë në Facebook, njerëzit votojnë në kuti. Njerëzit nuk votojnë nëpër ato ekranet e mëdha të debateve televizive komerciale, por votojnë në kuti të votimit, e kur e qet votën në kuti të votimit, nisesh prej mendjes dhe zemrës tende”, tha Hoti gjatë takimi me strukturat e partisë në Kaçanik.

Ai theksoi se LDK në këto zgjedhje ka përballë njerëz që nuk njohin konceptet demokratike.

“Këta nuk janë njerëz që promovojnë kulturë dhe debate demokratike. Garën do ta bëjmë në parime, parim kryesor është mbrojtja e demokracisë në Kosovës. Secili duhet të ndihet i lirë për të shprehur mendimin e vet pa ju nënshtruar dhunës verbale dhe fizike që vjen nga militantët e Facebookut”, tha Hoti.

Duke folur për largimin e Vjosa Osmanit dhe hyrjen e saj në listën e Vetëvendosjes, Hoti, tha se elektorati i LDK-së duhet të marrë mësim se kujt do ti jepet besimi tash e tutje. LDK, tha ai, ka nevojë për njerëz profesionist, me integritet të lartë dhe që kanë lojalitet ndaj shtetit të Kosovës.

Dega e Kaçanikut ka në listën për deputet, kandidaten Ardita Rrahmani, e cila vjen nga një familje atdhetare.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme