Hoti: Negociatat VV-LDK nuk kanë përfunduar, situata është normale

Prishtinë | 06 Dhj 2019 | 23:50 | Nga Ekonomia Online

Avdullah Hoti nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se negociatat mess Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje nuk kanë përfunduar, situata është normale dhe takimet do të vazhdojnë deri në një marrëveshje mes palëve.

Hoti gjithashtu ka thënë se VV’ja nuk është fituese absolute e zgjedhjeve. Në një intervistë ai ka thënë se subjekti i drejtuar nga Albin Kurti nuk ka qenë korrekt në raport me LDK’në.

“Veçanërisht ditëve të fundit, zyrtarë të caktuar të Vetëvendosjes nuk kanë qenë korrektë, duke u ngutur të deklarojnë gjëra që nuk duhet të deklarohen, sepse atë që po mundohemi ta promovojmë gjatë këtyre bisedave dhe të ndërtojmë një partneritet për katër vitet e ardhshme, është mbi bazën e normalisht të një marrëveshje të nënshkruar nga kryetarët e partive”, është shprehur Hoti.

Ai ka thënë se LDK insiston që pjesë e marrëveshjes të jenë të gjitha institucionet që burojnë nga Kuvendi, përfshirë edhe Presidenti i vendit.

“Negociatat nuk kanë përfunduar, është një situatë normale… Do të vazhdojmë edhe më tutje të takohemi, deri në një marrëveshje”, ka thënë Hoti në një intervistë për RTK’në.

Ai ka theksuar se në rast se dështon marrëveshja atëherë përgjegjësia nuk është e LDK-së, por sipas tij marrëveshja nuk do të dështojë.

Të ngjashme