Hoti nënshkruan Deklaratën për mbrojtjen e fëmijëve

Prishtinë | 01 Qer 2017 | 15:24 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Me rastin e 1 Qershorit, Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, kandidati për kryeministër nga LDK-AKR-Alternativa, Avdullah Hoti, e ka nënshkruar të enjten Deklaratën për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve me Koalicionin e OJQ-ve KOMF.

Në deklaratën e nënshkruar me Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF, Hoti zotohet për përfshirjen e fëmijëve në qendër të agjendës qeverisëse pas zgjedhjeve.

“Më vjen shumë mirë që jam i pari nga kandidatët në këto zgjedhje që e nënshkruaj këtë deklaratë dhe atë pikërisht më 1 qershor që është një ditë e veçantë për fëmijët. Unë zotohem se do t’i shtyjë përpara të gjitha pikat e Deklaratës për Fëmijët që e kam nënshkruar sot”, ka thënë Hoti.

Ai ka shtuar se një pjesë e madhe e këtyre zotimeve “veç janë pjesë e programit tonë, si pjesëmarrja në arsimin parashkollor, kujdesi i nënës ndaj fëmijës për 12 muaj pas lindjes, që do të jetë pushim prindëror, sepse në jetë nuk ka gjë më të çmuar se fëmijët”.

Hoti ka thënë se te pjesa e ligjeve kemi përfunduar bukur shumë tek ato që kanë të bëjnë me mbrojtjen e fëmijëve.

Donjetë Kelmendi, Drejtoreshë Ekzekutive në KOMF ka thënë se fëmijët në Kosovë përbëjnë 30% të popullsisë së përgjithshme dhe jetët e fëmijëve në Kosovë ndikohen çdo ditë nga politikat e Qeverisë, Kuvendit dhe nga veprimet e tyre.

Ajo ka thënë se ka nevojë për deklarimin e buxhetit në mënyrë transparente në fushat, të cilat prekin fëmijët dhe mbrojtjen e tyre, duke bërë të njohur investimet në fushën e arsimit, shëndetësisë, rritjen e buxhetit për skemat dhe shërbimet sociale për fëmijët në nevojë.

“Proceset transparente dhe të qasshme për të pasur pikëpamjet e fëmijëve në procesin e buxhetimit duhet të krijohen”, ka thënë Kelmendi.

Ajo ka theksuar nevojën për krijimin e planeve konkrete për politikat e nevojshme dhe investimet për të siguruar shërbime cilësore shëndetësore, përfshirë implementimin e fondit për sigurime shëndetësore, sigurimin e qëndrueshmërisë së fondit për fëmijët me sëmundje të rënda e që kërkojnë trajtim adekuat jashtë shtetit dhe sigurimin që barnat nga lista esenciale nuk do të mungojnë asnjëherë.

Të ngjashme