Hoti: Nuk ka vend në Evropë për njerëz që lidhin shirita të kuq nëpër qytete

Prishtinë | 08 Shk 2021 | 13:27 | Nga Ekonomia Online

Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbajtur tubimin e dytë në Podujevë. Kandidati për kryeministër nga LDK-ja, Avdullah Hoti, ka thënë se për 6 muaj qeverisje, kanë kaluar vështirësi.

Ai ka thumbuar kandidatin e VV-së për kryeministër, Albin Kurti, derisa ka thënë se po flet me megafon si në kohën e komunizmit.

“Kemi marrë vendin në pandemi por 5 muaj pasi ka fillu pandemia krejt çka është bërë ka qenë me i izolu qytetarët nëpër shtëpi. Ne është dashtë me i dalë përballë dhe me menaxhu me sukses pandeminë. Pas disa jave morëm ftesë për në Shtëpinë e Bardhe dhe ka qenë nderi i jetës më nënshkru një nga marrëveshjet më të rëndësishme pas pavarësisë. Vera po vjen, ditë të mira po vijnë. Më 31 dhjetor kam nënshkruar një marrëveshje financiare me Amerikën, dhe i kam njoftuar bizneset për qindra miliona euro që do të vijnë. Marrëveshja me Serbinë do të jetë me njohje reciproke, e kemi pasur të qartë nga fillimi. E kemi sjellë një njohje të re pas tri viteve bllokadë me njohjet. Tash kemi plan të qartë për mandatin e ardhshëm, mandat të qartë që unë nuk gjejë kundër kandidat për të u ballafaquar për këtë program. Nuk janë të gatshëm të ulen para qytetarëve në studio televizive. Njëri flet me megafon si në kohën e komunizimit, tjetri bën video dhe thotë kështu më kanë thënë. Ne kemi plan të qartë për investime prej 4 miliardë euro në sektorin publik, prej të cilave 1 miliard euro është siguruar nga marrëveshja në Washington. Kemi plan edhe për shëndetësinë. Sot nuk ka në Kosovë mjek që është pa punë, i kemi fillu specializimet. Kemi riorganizuar sistemin arsimor në kohën më të vështirë. Kemi testuar masivisht mësimdhënësit për covid. Në fushën e kulturës, rinisë e sportit e kemi programin më të mirë”, ka thënë ai.

Ai tutje ka shtuar se do ta përmbyllin çështjen e liberalizimit të vizave.

“Njerëz që lidhin shirita të kuq nuk kanë vend në Evropë, nuk ka liberalizim vizash me ta. Ajo që është mbjellë këtë vit është konfrontimi shoqëror jo gara politike, duke manipuluar të rinj e të reja, këtë do ta ndalojmë me një program të qartë, qeveri normale e civilizuese. 100 herr iu kam shkuar në komisione parlamentare, nuk kanë lënë gjë pa thënë, tash kur erdhi njohja e izraelit nuk flasin”, ka thënë ai.

Nënkryetari i kësaj partie, Agim Veliu, ka thënë se 14 shkurti do të jetë ditë e së vërtetës dhe reflektimit.

Sipas tij, të dielën e 14 shkurtit, qytetarët do të tregojnë se nuk do të dalin nga orientimi djathtist.

“Kjo është LDK-ja e presidentit historik Ibrahim Rugova. Tani kur kemi afirmuar kauzën tonë për shtetësi dhe kemi krijuar aleanca me BE e SHBA nuk do të lejojmë që dikush synon pushtet absolut të vë në dyshim partneritetin me miqtë. Ata këto ditë po dëshmojnë se kush janë po lidhin shirita të kuq për të treguar se nëse e realizojnë ëndrrën e tyre do ta skuqin Kosova pas 14 shkurtit por ne nuk do t’i lejojmë. Nëse realizohet ky iluzion do të skuqej Kosova, por nuk do të skuqet Llapi e as nuk do të izolohet Kosova. Me 14 shkurt do të rrënohen piramidat e sondazheve”, ka thënë ai.

Ndërkaq kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli, i cili garon në listë të përbashkët me LDK-në ka thënë se dëshiron që anjeherë te mos ketë dyshim që LDK-ja e çon Kosovën aty ku duhet.

“Nuk duhet të mashtrohemi prej interferencave, prej njerëzve që kanë ardhur zoti e di prej ku dhe duan ta kthejnë vendin në vitet e 70-ta. Prandaj t’i lëmë anash ata dhe Podujeva ka dëshmuar se është e Lidhjes Demokratike të Kosovës”, ka thënë ai.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme