Hoti: Nuk kemi ende ftesë nga presidenti, flasim vetëm për datën e zgjedhjeve

Prishtinë | 31 Kor 2019 | 12:41 | Nga Ekonomia Online

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se kjo parti ende nuk ka marrë ftesë nga presidenti Hashim Thaçi për konsultime për të caktuar datën e zgjedhjeve.

Në një postim në Facebook, Hoti ka theksuar se këto vonesa janë të paarsyeshme, duke ditur se vendi nuk ka qeveri efektive.

“Koalicioni PAN nuk ka pasur legjitimitet tash e një vit për të qeverisur me Kosovën dhe nuk ka as tani për të propozuar një mandatar të ri. Ne do t’i përgjigjemi ftesës së Presidentit vetëm për të caktuar datën e zgjedhjeve. Asnjë temë tjetër nuk mund të diskutohen në këto konsultime”.

“Duke qenë se nuk ka një iniciativë të tillë nga Presidenti, ne do të kërkojmë thirrjen e seancës për shpërbërje të Kuvendit, siç parashihet me nenin 83, pika b, e Rregullores të Punës të Kuvendit. Në këtë seancë, paraprakisht do të kërkojmë ratifikimin e marrëveshjes IPA me Bashkimin Evropian, e cila Kosovës i sigurojnë fonde rreth 100 mil euro. Votimi i kësaj marrëveshjeve kërkon 2/3 e votave të deputetëve dhe është e rëndësishme që këto fonde të mos humben ose të prolongohet shfrytëzimi i tyre, për shkak se Kosova ka pasur një qeveri jolegjitime”, ka shkruar Hoti.

Të ngjashme