Hoti: Oponentët tanë ishin kundër Planit të Ahtisarit që solli pavarësinë e Kosovës

Prishtinë | 10 Shk 2021 | 13:30 | Nga Ekonomia Online

Kandidati i LDK-së për kryeministër, Avdullah Hoti, gjatë një tubimi elektoral në Viti sot, tha se oponentët tanë politikë, asnjëherë nuk kanë besuar në projektin e pavarësisë së Kosovës, madje, në shkurt të vitit 2008 ata nxorën protestuesit në rrugë, ku u vranë qytetarë të pafajshëm, pasi që nuk besonin në Planin e Ahtisarit që solli pavarësinë e Kosovës.

“Ata edhe sot janë kundër aleancave tone me partnerët amerikanë dhe evropianë. Ata ishin kundër Marrëveshjes së Rambujesë që solli lirinë e Kosovës, ata ishin kundër Planit Ahtisari që solli pavarësinë e Kosovës, ndërsa vitin e kaluar ishin kundër Marrëveshjes së Uashingtonit që solli 1 miliard investime në Kosovë, njohjen nga Izraeli, heqjen e sanksioneve amerikane dhe përfshirjen e FSK-së në misione paqësore”, tha Hoti. “Lidhja Demokratike, për 30 vite, ka qenë në ballë të proceseve të vështira të lirisë, shtet-ndërtimit dhe zhvillimit të Kosovës. Në gjithë historinë tonë prej tri dekadash, nuk jemi shmangur asnjëherë nga përgjegjësitë shtetërore. Gjithmonë kemi mbrojtur shtetin dhe interesat e qytetarëve të Kosovës. Këtë kulturë politike e kemi të trashëguar nga arkitekti i pavarësisë së Kosovës, Presidenti Rugova”.

Ai shtoi se kështu vepruam edhe në pranverën e vitit të kaluar, kur e ndaluam një qeverisje që nisi të dëmtonte shtetin, dhe morëm përgjegjësinë për të qeverisur në momentet më të vështira në 20 vitet e fundit, pasi që ne ishim të vendosur që të mos lejojmë cenimin e miqësisë speciale me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Të ngjashme