Hoti pas heqjes së reciprocitetit: Vepruam si na kërkuan partnerët, dialogun e udhëheq unë jo presidenti

Prishtinë | 06 Qer 2020 | 10:30 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, e ka quajtur vendim të rëndësishëm heqjen e reciprocitetit me Serbinë, raporton Ekonomia Online.

Kreu i ekzekutivit në një konferencë për medie shtoi se presin që edhe pala serbe t’i heqë pengesat në mënyrë që vazhdohet dialogu.

“Kemi marrë një vendim të rëndësishëm për heqjen e pengesave për vazhdimin e dialogut”.

“Presim që edhe pala serbe të heqë të gjitha pengesat por ne ruajmë të drejtën tonë si shtet sovran që të vendosim masa për ruajtjen e sovranitetit tonë në përputhje me partnerët ndërkombëtarë”.

Ai ka thënë se këto vendime i kanë marrë në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë.

“Këto vendime vijnë si rezultat i koordinimit me partnerët ndërkombëtarë. Zotimet që i kemi marrë janë që t’i heqim pengesat e dialogut. Edhe ambasadorit amerikan dje ia konfirmova këtë vullnet”.

“Janë hequr të gjitha pengesat për një periudhë kohore. Nëse dialogu nuk jep rezultatet e pritura ne ruajmë të drejtën për të vendosur sërish”.

Ai tha se nuk mund t’ia delegojë kompetencat e tij për udhëheqje në dialogun me Serbinë presidentit Hashim Thaçi.

“Kryeministri i vendit në bazë të kompetencave kushtetuese do të udhëheqë dialogun”.

“Nuk mund t’i transferoj kompetencat e mia as te presidenti as te dikush tjetër. Nuk do të doja e as do të mundja. Dialogu do të udhëhiqet nga Qeveria dhe do të votohet nga Kuvendi”.

Sa i përket presionit të presidentit Hashim Thaçi dhe ish-kryeministrit Ramush Haradinaj ndaj deputetit të Nismës Haxhi Shala për të votuar pro Qeverisë Hoti, kryeministri tha se s’do të komentojë këtë dhe se ka legjitimitet të plotë të jetë në këtë post.

Të ngjashme