Hoti premton pagë minimale 300 euro, sigurime shëndetësore e vetting në drejtësi

Prishtinë | 03 Shk 2021 | 08:22 | Nga Ekonomia Online

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryeministër, Avdullah Hoti, në prezantimin e programit me të cilin synon të fitojë zgjedhjet e 14 shkurtit, për të udhëheqë vendin në vitet e ardhshme, ka premtuar rritje të pagës minimale, sigurime shëndetësore e vetting në drejtësi, të trija këto premtime të kahmotshme të partive.

Sipas tij, prioritet i parë do të jetë shëndetësia. Ka thënë se do të punojnë për vaksinim, teksa ka shtuar se do të fillohet me sigurime shëndetësore, premtim i kahmotshëm i të gjitha partive. Hoti ka premtuar edhe modernizimin e pajisjeve mjekësore.

Për prioritet të ty dytë, Hoti ka caktuar arsimin. LDK-ja ka premtuar uljen e numrit të nxënësve në klasa, mësim gjithëditor e promovim të shkencës.

“Ne zotohemi për investime në fuqizimin e rinisë, punë praktike me pagesë, grante për biznese për të rinj, bursa për talente, njohjen e punës vullnetare. Ne duam që të gjithë të shohin bukuritë dhe begatitë që ka Kosova. Do të zhvillojmë turizmin, të pavarësojmë institucionet e kulturës, të mbështesim artistët dhe ngjarjet kulturore”, ka thënë ai në prezantimin e programit të LDK-së.

Hoti ka premtuar lehtësime për kushte të kredive, subvencionime në normat e interesit, grante për biznese, fiskalizim digjital dhe liberalizim të tregut të energjisë.

“Do të mbështesim bujkun dhe prodhuesin me shumë më tepër subvencione dhe grante, të orientuara kah prodhimi, me procedura transparente. Do të rrisim sipërfaqet bujqësore nën ujitje. Do të përmbyllim rrjetin e furnizimit me ujë të pijshëm për të gjithë qytetarët dhe trajtimin e ujërave të zeza. Zotohemi të digjitalizojmë të gjitha shërbimet publike në afat rekord, që të evitojmë çdo burokraci ndaj qytetarëve dhe bizneseve. Do të digjitalizojmë shkollat tona dhe do të mbështesim bizneset inovative. Prokurimi publik do të jetë plotësisht elektronik, transparent dhe me standarde të reja, ku shpërblehen firmat që punojnë, që respektojnë kontratat që kryejnë punët me cilësi. Odat dhe shoqatat profesionale do të marrin rol me ligj në zbatimin e politikave ekonomike dhe sociale”, ka thënë Hoti, teksa ka shtuar se “Me partnerët tanë, do të sjellim gazin në Prishtinë dhe do ta lidhim Prishtinën me Durrësin me hekurudhë”.

Hoti në nisje të fushatës ka paralajmëruar pagën minimale 300 euro pa dallim moshe, heqje të kufizimit prej 15 vitesh për pensionet kontributdhënëse, e për pensione jo nën pagën minimale nga viti 2023.

Tjetër premtim i Hotit ka qenë vetingu në drejtësi.

“Për të siguruar shtet ligjor plotësisht funksional, do të nisim vetingun në drejtësi që do të rris efikasitetin dhe transparencën në drejtësi”, ka thënë ai.

Hoti ka përfunduar fjalimin se në çdo proces do të përfshijë mërgatën.

Të ngjashme