Hoti prezanton programin për rritjen e sektorit privat dhe punësimin

Prishtinë | 03 Qer 2017 | 11:01 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kandidati për kryeministër nga LDK-AKR-Alternativa, Avdullah Hoti, gjatë një bashkëbisedimi me përfaqësuesit e biznesit ka prezantuar në Prishtinë planin e tij për fuqizimin e sektorit privat dhe krijimin e vendeve të reja të punës.

“Në shtator të vitit 2015 ne kemi filluar aplikimin e pakos fiskale 1 e cila ka gjeneruar për dy vite e gjysmë 2 miliardë euro më shumë qarkullim në sektorin privat dhe ka mundësuar 41 mijë vende të reja të punës të regjistruara me emër e mbiemër në Trustin e Kursimeve Pensionale. Pakoja e dytë fiskale që e kemi të gatshme për ta miratuar në qeverinë e re do ta nxisë edhe më shumë zhvillimin dhe punësimin”, ka thënë Hoti.

Ai ka shtuar se do të hiqen të gjitha taksat për importin e lëndës së parë, teknikës dhe teknologjisë që do të përdoret në prodhimin vendor dhe në këtë mënyrë do të rrisim fitimin e bizneseve dhe krijimin e të paktën 40 mijë vendeve të reja të punës në dy vitet e para të mandatit qeverisës.

“Programi ynë është kontratë me Kosovën dhe kontratë me komunitetin e biznesit. Programi ynë garanton fuqizimin e sektorit privat dhe rritje ekonomike deri 7 për qind. Do themelohet një Fond Zhvillimor për të përkrahur bizneset e reja dhe ulje të papunësisë në numër njëshifror”, ka thënë Hoti.

Ai ka thënë se në bashkëpunim të ngushtë me sektorin privat do të zhvillojmë një kornizë ligjore të përshtatshme nga institucionet e vendit, brenda së cilës zhvillohen aktivitetet ekonomike. “Sektori privat do të jetë gjenerator i rritjes ekonomike dhe punësimit. Do të përkrahim me fonde promovimin e investimeve në prodhim dhe shërbimeve me vlerë të lartë shtuese. Duke nxitur rritjen e sektorit privat ne do të luftojmë varfërinë”, ka thënë Hoti.

Kandidati për kryeministër ka thënë se Qeveria e re do të ndajë një fond të veçantë për t’i bashkëfinancuar projektet investive të firmave vendëse që e rrisin prodhimin vendës dhe ndikojnë në uljen e deficitit tregtar të Kosovës.

Hoti ka thënë se do të funksionalizohen zonat industriale nëpërmjet avancimit të mënyrës së menaxhimit dhe ofrimit të shërbimeve shtesë të tyre dhe do të fuqizojmë të drejtat nga pronësia industriale.

Hoti ka thënë se prioriteti i qeverisë së tij do të jetë sektori i bujqësisë ku do të investohen 1.2 miliardë euro, dhe kjo do të ndikojë në rritjen e punësimit dhe efektet tjera zinxhirore në sektorë tjerë.

Kryeministri Isa Mustafa ka thënë se plani qeverisës i koalicionit mundëson rritje ekonomike, nëpërmes fuqizimit të sektorit privat.

“Zhvillimin e sektorit privat ne do ta stimulojmë me pakon fiskale 2 dhe duke reformuar sistemin e taksave, nëpërmjet bashkimit të Administratës Tatimore dhe Doganave, në mënyrë që afaristët tanë të taksohen në fitim, e jo në qarkullim. Ndër masat e para në fushën e fuqizimit të bizneseve do të jetë krijimi i një Fondi Zhvillimor për të përkrahur biznesin vendor dhe fuqizimin e skemës së garantimit të kredive”, ka thënë Mustafa.

Ai ka shtuar se nga janari 2018, programi ynë parasheh trefishimin e subvencione për bujqësinë.

“Ne garantojmë se performanca e mirë buxhetore që e garanton programi ynë, do të bëjë të mundur investimet për përmirësimin e cilësisë së arsimit dhe shëndetësisë. Ne përfundimisht do ta ndërlidhim sistemin e arsimit me tregun e punës”, ka thënë Mustafa.

Kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli ka thënë se plani qeverisës i partisë së tij tani është shkrirë në programin e Qeverisë Hoti në katër vitet e ardhshme.
Ai ka premtuar se do të bëjë të gjitha përpjekjet që programi për zhvillim, nxitje të sektorit privat dhe punësim të bëhet realitet.

 

Të ngjashme