Hoti priti në takim Presidenten e Parlamentit të Zvicrës, Isabelle Moret

Prishtinë | 11 Nën 2020 | 14:08 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, ka pritur sot në takim një delegacion nga Parlamenti i Zvicrës, i kryesuar nga Presidentja e Parlamentit Isabelle Moret.

Kryeministri Hoti me Presidenten Moret biseduan për zhvillimet e fundit në vendin tonë, me theks në menaxhimin e pandemisë Covid-19, procesin e dialogut Kosovë-Serbi si dhe luftimin e krimit të organizuar e korrupsionit.

Sa i përket pandemisë me Covid-19, Kryeministri Hoti e njoftoi zonjën Moret me gjendjen aktuale dhe me masat e reja që janë propozuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, konform gjendjes pandemike në vend.

Kryeministri Hoti, theksoi se dialogu Kosovë-Serbi, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, nuk ka alternativë dhe se pezullimi i këtij procesi nuk i shërben interesave shtetërore të Republikës së Kosovës. Ai ritheksoi se Kosova me Serbinë në Bruksel po dialogojnë për arritjen e marrëveshjes finale, me njohje reciproke, në kufijtë aktual.

Sa i përket luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit, Kryeministri Hoti, e njoftoi delegacionin nga Parlamenti Zviceran me hapat që janë duke u ndërmarrë për riorganizimin e Policisë së Kosovës, me të cilat synohet ngritja e efikasitetit në punë. Por duke insistuar gjithmonë në respektimin e ndarjes së pushteteve.

Temë e takimit ishte edhe diaspora e Kosovës që jeton në Zvicër dhe mundësitë e përfshirjes së tyre në projekte zhvillimore e investime kapitale në vendin tonë.

Kryeministri Hoti dhe Presidentja Moret u dakorduan për thellimin e bashkëpunimit bilateral në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme